Sistemi elektroenergjetik i Shqipërisë pritet të zgjerohet ndjeshëm në vitet e ardhshme, me rreth 2.8 gigavat kapacitete të reja prodhuese, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka planifikuar investime prej 16 miliardë lekësh, ose rreth 167 milionë euro, deri në vitin 2027 për të përforcuar rrjetin dhe për të mundësuar integrimin e këtyre projekteve.
Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tregojnë se vetëm projektet që kanë nënshkruar marrëveshje për kyçje në rrjet dhe që pritet të energjizohen gjatë viteve 2026 dhe 2027 përfaqësojnë një kapacitet prej rreth 830 MW. Këtyre u shtohen projektet që kanë nënshkruar marrëveshje ose amendamente gjatë vitit 2025, si dhe një numër i konsiderueshëm projektesh që kanë marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit.
Zhvillimi i sektorit vazhdon të dominohet nga energjia diellore. Ndër projektet më të mëdha janë Sunny Side Solar Park me 122 MW dhe AKERNI Solar me 100 MW, si dhe një sërë centralesh fotovoltaike me kapacitete nga 20 deri në 60 MW. Në listë përfshihen edhe Parku Eolik i Spillesë me 72.6 MW dhe TEC Roskovec me 170 MW, i cili mbetet projekti individual me kapacitetin më të madh në zhvillim.
Sipas ERE-së, rritja e shpejtë e kapaciteteve prodhuese kërkon një zhvillim më dinamik të rrjetit të transmetimit për të garantuar integrimin e sigurt dhe efikas të burimeve të reja në sistem.
Për këtë arsye, OST ka planifikuar investime të konsiderueshme në ndërtimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve, zgjerimin e linjave 110 kV, 220 kV dhe 400 kV, si dhe në teknologji informative, telekomunikacion dhe siguri kibernetike.
Ky cikël investimesh pritet të rrisë kapacitetin e rrjetit shqiptar për të përballuar fluksin në rritje të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe të mbështesë tranzicionin e vendit drejt një sistemi energjetik më të pastër, më fleksibil dhe më konkurrues.



