Kapaciteti i projekteve të energjisë së ripërtëritshme të kombinuara me sisteme për ruajtjen e energjisë përmes baterive në Evropë pritet të rritet me më shumë se 450% deri në vitin 2030, sipas një raporti të publikuar nga Aurora Energy Research.
Sipas raportit, tregu evropian po kalon nga modeli tradicional i fokusuar vetëm në prodhimin e energjisë drejt një qasjeje më të avancuar, ku prodhimi dhe ruajtja funksionojnë si një sistem i integruar. Kjo u mundëson operatorëve që energjinë e tepërt ta ruajnë në bateri dhe ta shesin në periudhat kur çmimet janë më të larta, në vend që ta ofrojnë menjëherë në treg me çmime të ulëta ose negative.
Në vitin 2025, kapaciteti i projekteve hibride (energji diellore ose me erë të kombinuar me bateri) në Evropë arriti në rreth 6.3 gigavat (GW), ku mbi 60% e këtij kapaciteti i përkiste centraleve diellore të shoqëruara me sisteme ruajtjeje. Deri në vitin 2030, kjo shifër pritet të rritet në rreth 35 GW, ka raportuar motilokal.com.
Raporti e rendit Gjermaninë si tregun më tërheqës për investime në këtë segment, falë kthimeve më të larta të pritshme. Pas Gjermanisë renditen Mbretëria e Bashkuar dhe Bullgaria, ndërsa Spanja, Hungaria dhe Franca konsiderohen tregje me potencial të madh, por me pasiguri rregullatore, përcjell Energy Monitor.
Një nga treguesit më domethënës të ndryshimeve strukturore në treg është shtimi i orëve me çmime negative të energjisë elektrike, veçanërisht në Gjermani, Spanjë dhe Holandë. Kjo ndodh kur prodhimi nga burimet e ripërtëritshme tejkalon kërkesën dhe sistemi nuk ka fleksibilitet të mjaftueshëm për të absorbuar energjinë e tepërt.
Po ashtu, raporti parashikon se kufizimi i detyruar i prodhimit (curtailment) do të trefishohet deri në fund të dekadës, nga pak më shumë se 10 teravat-orë (TWh) në vitin 2024 në rreth 33 TWh në vitin 2030. Kjo nënvizon nevojën për investime të përshpejtuara në rrjete, sisteme ruajtjeje dhe mekanizma të tjerë fleksibiliteti.
Sipas Aurora Energy Research, kombinimi i energjisë së ripërtëritshme me bateri do të luajë një rol kyç në stabilizimin e sistemeve elektroenergjetike evropiane dhe në maksimizimin e vlerës së energjisë së pastër në treg.



