Home / Lajme / Rajoni / Serbia synon të integrojë 12 GW energji të ripërtëritshme në rrjet deri në vitin 2032

Serbia synon të integrojë 12 GW energji të ripërtëritshme në rrjet deri në vitin 2032

Elektromreza Srbije (EMS), operatori i sistemit të transmetimit të Serbisë, planifikon të mundësojë integrimin e rreth 12 gigavatëve (GW) kapacitete të reja nga burimet e ripërtëritshme të energjisë gjatë gjashtë viteve të ardhshme.

Këtë e bëri të ditur drejtoresha e përgjithshme e EMS-së, Jelena Matejic, gjatë forumit Belgrade Energy Forum 2026, ku theksoi se shumica e këtyre kapaciteteve pritet të lidhen me rrjetin deri në fund të dekadës, ka raportuar Balkan Green Energy News.

Sipas saj, Serbia gëzon një pozitë të favorshme në rajon, me tetë kufij ndërlidhës dhe 20 linja ndërkufitare të transmetimit, çka i jep sistemit fleksibilitet të konsiderueshëm dhe e pozicionon vendin si një nyje të rëndësishme për shkëmbimin e energjisë elektrike në Evropën Juglindore.

Për të përballuar këtë valë të re investimesh në energji të pastër, EMS ka investuar rreth 620 milionë euro gjatë dhjetë viteve të fundit në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit, si dhe në digjitalizimin e operimit të sistemit.

Vetëm gjatë vitit 2025, kompania realizoi investime rekord prej 135 milionë eurosh, që përfaqësojnë 95% të planit vjetor. Deri në vitin 2028, EMS planifikon investime shtesë prej 740 milionë eurosh, ndërsa investimet totale deri në vitin 2030 pritet të arrijnë në rreth 1 miliard euro, përcjell Energy Monitor.

Në kuadër të këtij programi investues, EMS po zhvillon disa projekte strategjike, përfshirë Korridorin Trans-Ballkanik të energjisë elektrike, projektin BeoGrid, Korridorin Panonik drejt Hungarisë dhe Korridorin Qendror Ballkanik drejt Bullgarisë.

Me realizimin e këtyre projekteve, kapaciteti ndërkufitar i Serbisë pritet të rritet me rreth 50%, duke arritur në afro 6,000 MW deri në fund të dekadës.

Matejic theksoi se investimet në rrjet janë kusht themelor për integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe për ruajtjen e stabilitetit të sistemit elektroenergjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com