Ardian Gjini ka deklaruar se Kosova duhet të përmirësojë sigurinë, legjislacionin, furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën nëse synon të tërheqë më shumë investime të huaja direkte.
Në një intervistë për emisionin “Pressing” në Televizioni T7, Gjini tha se investitorët kanë nevojë për një mjedis të sigurt, procedura të shpejta ligjore dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
Sipas tij, procedurat gjyqësore dhe administrative që zgjasin me vite dekurajojnë investitorët, ndërsa mungesa e sigurisë energjetike mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik.
“Është e pafalshme që edhe pas gjashtë vitesh Kosova ende nuk ka siguri energjetike. Nëse vijnë kompani të mëdha që kanë nevojë për energji elektrike dhe ne nuk mund t’ua garantojmë furnizimin, ato nuk do të investojnë”, u shpreh Gjini.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës moderne, duke vlerësuar se lidhjet më të mira rrugore dhe logjistike ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e investitorëve.
Gjini foli edhe për projektet e mëdha energjetike të së kaluarës, duke thënë se iniciativa për ndërtimin e termocentralit “Kosova C” ishte afër realizimit, por u pengua nga vendime që, sipas tij, i kushtuan shumë vendit.
Sipas tij, në atë kohë kompani të mëdha ndërkombëtare kishin shprehur gatishmëri për të investuar në kapacitete të reja prodhuese, ndërsa mosrealizimi i projektit ka ndikuar negativisht në zhvillimin energjetik dhe ekonomik të Kosovës.
Gjini tha se, po të ishte ndërtuar ky kapacitet, pozita energjetike dhe ekonomike e Kosovës sot do të ishte dukshëm më e favorshme.



