Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka vendime apo tregues që paralajmërojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike gjatë vitit 2026.
Drejtori i përgjithshëm i EPCG-së, Zdravko Dragash, tha për Pobjeda se stabiliteti i çmimit është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet e inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës.
Nëse në të ardhmen do të ketë ndryshim të çmimit, konsumatorët do të njoftohen të paktën 15 ditë paraprakisht.
Dragash foli edhe për ndikimin e Mekanizmit të Rregullimit të Karbonit në Kufi (MRKK/CBAM), i cili pritet të rrisë presionin mbi prodhimin e energjisë nga burimet me emetime të larta të karbonit dhe ta bëjë më të rëndësishëm investimin në kapacitete të reja të energjisë së pastër. Sipas tij, përballimi i këtyre ndryshimeve kërkon një cikël të madh investimesh dhe transformimin gradual të strukturës së prodhimit të EPCG-së, përcjell Energy Monitor.
Në këtë kuadër, Dragaš e ka cilësuar bashkëpunimin me kompaninë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Masdar, si një nga zhvillimet më të rëndësishme për të ardhmen e EPCG-së. Partneriteti parashikon zhvillimin e projekteve të energjisë diellore dhe teknologjive të tjera të energjisë së ripërtëritshme, si dhe projekte të magazinimit me hidrocentrale me pompim.
Bashkëpunimi EPCG – Masdar synon zhvillimin e deri në 2 GW kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në Mal të Zi, ndërsa marrëveshjet e fundit përfshijnë dy projekte diellore me kapacitet të përbashkët prej 150 MW dhe shqyrtimin e më shumë se 400 MW kapaciteteve të magazinimit me hidrocentrale me pompim.



