Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria shton 174 MW energji diellore: miratohen tre centrale të reja në Savër, Sarandë dhe Poliçan

Shqipëria shton 174 MW energji diellore: miratohen tre centrale të reja në Savër, Sarandë dhe Poliçan

Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar ndërtimin e tre impianteve të reja fotovoltaike me kapacitet të përgjithshëm prej 174 megavatësh, duke vijuar zgjerimin e prodhimit të energjisë nga burimet diellore në vend.

Projektet do të zhvillohen në Savër të Lushnjës, Sarandë dhe Poliçan, dhe u janë dhënë tre kompanive private, me afat ndërtimi deri në 36 muaj dhe të drejtë operimi për 49 vjet.

Në Savër të Lushnjës, në qarkun e Fierit në Shqipëri, kompania “3X ENERGY” do të ndërtojë një central fotovoltaik me kapacitet 70 MW. Projekti parashikon që investitori të përmbushë detyrime kontraktuale, përfshirë garanci financiare dhe kontribut në formë royalty prej 2% të prodhimit vjetor të energjisë për shtetin shqiptar.

Në jug të Shqipërisë, në Sarandë, shoqëria “PARK SOL ENERGY” do të zhvillojë një impiant me kapacitet 50 MW, ndërsa në Poliçan të Beratit kompania “X ONE” do të ndërtojë një central tjetër fotovoltaik me fuqi 54 MW.

Të tre projektet ndjekin të njëjtin model zhvillimi dhe janë të vendosura në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke shtrirë investimet energjetike si në bregdet ashtu edhe në brendësi të territorit.

Sipas vendimeve të publikuara nga Këshilli i Ministrave, projektet nuk trajtohen si koncesione dhe nuk përfitojnë skema direkte subvencionesh shtetërore, por mbështeten në një model afatgjatë shfrytëzimi prej 49 vitesh, me mbikëqyrje periodike nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Zgjerimi i kapaciteteve fotovoltaike në Shqipëri vjen në një periudhë ku vendi po synon të rrisë peshën e energjisë së ripërtëritshme në sistemin elektroenergjetik dhe të ulë varësinë nga burimet tradicionale. Projektet e reja pritet të kontribuojnë në diversifikimin e prodhimit dhe në rritjen e sigurisë energjetike të vendit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com