Home / Lajme / Kosova / Ekspertët kërkojnë që Kosova të mos mbetet jashtë projektit strategjik

Ekspertët kërkojnë që Kosova të mos mbetet jashtë projektit strategjik

Projekti amerikan për gazin e lëngshëm natyror (LNG) dhe refuzimi i Kosovës për t’iu bashkuar kësaj nisme ishte tema qendrore e debatit në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ku ekspertë të energjisë, ekonomisë dhe politikave publike paralajmëruan se vendi rrezikon të humbasë një mundësi strategjike me pasoja afatgjata për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Opinionisti Dardan Sejdiu tha se debati në Kosovë është orientuar gabimisht te përdorimi i gazit në amvisëri, ndërsa thelbi i projektit është ndërtimi i një infrastrukture strategjike.

“Gazi është infrastrukturë, është kurrizi i diversifikimit dhe i strategjisë nacionale të sigurisë. Nuk po flasim për gazifikimin e shtëpive, por për një investim strategjik”, u shpreh ai.

Sipas Sejdiut, hapi i parë për lidhjen e Kosovës me rrjetin rajonal të gazit përmes interkoneksionit Prishtinë-Shkup do të kushtonte rreth 70 milionë euro, investim që, sipas tij, do ta poziciononte Kosovën në arkitekturën euroatlantike të sigurisë energjetike dhe do ta pavarësonte sistemin energjetik të vendit nga ndikimi rus.

Ai theksoi se, ndërkohë që Kosova vazhdon të hezitojë, vendet e rajonit tashmë kanë hyrë në një cikël investimesh prej rreth 1.2 miliardë eurosh në infrastrukturën e gazit.

“Ministrat e energjisë të Greqisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po flasin për korridorin vertikal të gazit dhe për investime miliardëshe. Fqinjët po ndërtojnë kapacitetet e tyre, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë”, tha ai, transmeton Energy Monitor.

Megjithatë, Sejdiu theksoi se projekti ende ndodhet në fazën e zotimeve dhe se Kosova ka ende mundësi të bëhet pjesë e tij, gjë që, sipas tij, shpjegon edhe insistimin e partnerëve ndërkombëtarë që vendi të marrë një vendim sa më shpejt.

Në të njëjtën linjë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se çështja e gazit amerikan duhet të trajtohet si një prioritet shtetëror dhe jo si debat politik.

“Kosova duhet t’i thotë po këtij projekti dhe ta bëjë pjesë të agjendës së saj zyrtare. Çështjet e financimit dhe kostos kanë zgjidhje, por gjithçka duhet të nisë nga një vendim politik”, deklaroi ai.

Zeka vlerësoi se qasja e deritanishme e institucioneve ka bërë që Kosova të humbasë mundësi të rëndësishme amerikane në sektorin e energjisë. Ai kujtoi se vendi humbi mundësinë për ndërtimin e një termocentrali me investitor amerikan dhe kritikoi refuzimin e zbatimit të dispozitave të Marrëveshjes së Washingtonit, e cila parashihte edhe mbështetje financiare amerikane për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm natyror.

Sipas tij, refuzimi i vazhdueshëm i nismave amerikane në sektorin e energjisë mund të ndikojë negativisht edhe në marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Njohësja e çështjeve të energjisë, Laura Kryeziu, tha se procesi i diskutimeve rreth projektit është shoqëruar me komunikime të paqarta dhe, sipas saj, në disa raste edhe absurde.

Ajo bëri të ditur se kishte pasur përpjekje që partnerëve amerikanë t’u paraqitej shqetësimi se përmes këtij projekti mund të hynte gaz rus, argument të cilin ajo e cilësoi të pabazuar.

“Ka pasur një nivel absurditeti në këtë komunikim dhe gjithmonë kam shpresuar që ky proces do të rishikohej”, tha Kryeziu.

Ajo rikujtoi se Kosova kishte qenë pjesë e përgatitjeve rajonale për t’u lidhur me gazsjellësin përmes Maqedonisë së Veriut, ndërsa përmendi edhe vizitat zyrtare në Greqi, ku ishte diskutuar mundësia e furnizimit përmes terminalit të gazit në Aleksandropolis. Sipas saj, ekziston edhe dëshmi historike se Kosova ka qenë e lidhur me rrjetin e gazit të Maqedonisë që në vitet ’70.

Eksperti i energjisë Luan Shllaku tha se vendimi për pranimin ose refuzimin e projektit nuk është vetëm teknik, por para së gjithash strategjik.

“Një ‘po’ apo një ‘jo’ e Kosovës nuk do të ketë rëndësi vetëm për mënyrën se si do të furnizohemi me gaz, por do të përcaktojë nëse duam të jemi pjesë e të njëjtit orientim energjetik dhe gjeopolitik me vendet e tjera të Ballkanit dhe Evropës”, tha ai, përcjell Energy Monitor.

Shllaku shpjegoi se Kosova mund të furnizohet me gaz amerikan përmes terminalit të Aleksandropolisit në Greqi, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, por theksoi se kjo nuk është alternativa e vetme.

Sipas tij, Shqipëria tashmë ka siguruar marrëveshje afatgjata për furnizim me gaz të lëngshëm amerikan dhe, me zhvillimin e terminalit të Vlorës dhe zgjerimin e infrastrukturës së gazsjellësit TAP, Kosova do të mund të furnizohej edhe përmes territorit shqiptar.

Panelistët u pajtuan se debati për gazin amerikan nuk lidhet vetëm me një burim të ri energjie, por me orientimin strategjik të Kosovës, sigurinë kombëtare, integrimin në infrastrukturën rajonale dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Sipas tyre, ndërsa vendet fqinje po ndërtojnë korridore të reja energjetike dhe po investojnë miliarda euro në diversifikimin e furnizimit, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në rajon.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com