Refuzimi i qeverisë në detyrë për përfshirjen e Kosovës në projektin amerikan të gazit të lëngshëm, nxiti valë reagimesh edhe ndër qytetarë, të cilët konsiderojnë se nuk do duhej t’i thuhej jo SHBA-ve edhe për faktin se bëhet fjalë për një zgjidhje në fushën e energjisë elektrike në vend.
“Keq tepër keq, nuk do duhej me ndodh sidomos kur bëhet fjalë për Amerikën aleat i yni”, tha një qytetar. “Shumë keq, nuk bënë të ndodhë”, u shpreh një tjetër qytetar. “Jemi ba ma zi se në Banglladesh”, tha qytetari tjetër.
Qeveria në detyrë po injoron thirrjet e SHBA-ve për përfshirje në projektin energjetik të gazit të lëngshëm natyror, sikur se është një deklaratë e Ushtruesëes së detyrës së presidentes se nuk i ka parë fare këto thirrje, ndërkohë që kryeministri në detyrë ka propozuar që Kosova të marr gazin amerikan përmes termocentralit të Vlorës në Shqipëri. Kurti ka folur për interesin e ndërtimit të një termocentrali, i cili bënë gazifikimin e thëngjillit, projekt ky që, sipas drejtorit të institutit INDEP Burim Ejupi, është vetëm arsyetim për të mos pranuar gazin amerikan.
“Gazifikimi i thëngjillit është një projekt i vdekur ende pa nisur “, tha Ejupi për RTV21.
Duke qenë se vetëm Kosova në Ballkanin Perëndimor se ka pranaur deri tani gazin e Lëngshëm Natyror, drejtori i institutit INDEP, Blerim Ejupi, thotë se shtetet ballkanike përpos përfshirjes në programin amerikan të gazit natyror ato njëherësh kanë forcuar kapacitetet e veta energjetike, për dallim nga Kosova, e cila në këto 6 vjet nuk ka zhvilluar asnjë kapacitet të ri energjetik, por ka shtuar nevojën për import të vazhdueshëm të rrymës, duke rënduar buxhetin e qytetarëve.
“ Derisa na presim që muajin tjetër të lansojmë projektin 70 mgavatësh vendet e rajonit Serbia, Maqedonia flet për projekte gati një gigë. Nuk është marre me thanë kemi dështu…”, u shpreh ai.
Duke iu referuar statistikave, aktualisht inflacioni në Kosovë në muajin maj ka arritur në 6.8%, ndikuar edhe nga shtrenjtimi i i transportit me 14.1% dhe kostoja e banimit në të cilën përfshihet rryma dhe lëndët e tjera djegëse me 13.2%. Shkalla e inflacionit prej 6.8% vlerësohet të jetë më e larta në rajon dhe Evropë, për të cilën situatë, drejtori i dhomës së tregtisë, Kushtrim Ahmeti, vlerëson se zhvillimet e shpejta globale kërkojnë edhe përgjigje të shpejtë.
“Këto janë krejt pasoja të asaj që kemi thanë dhe kemi kërku në vazhdimësi. Nuk ka pas veprime dhe normal që qytetarët do ta paguajnë barrën e çmimeve të larta”, tha Ahmeti.
Sipas të dhënave në katër vjetët e fundit, Kosova bleu rrymë nga vendet e tjera rreth 800 milionë euro, import që është vlerësuar si shkaktar i shtrenjtimit jo vetëm të rrymës, por edhe gjithë produkteve të tjera në Kosovë. Ndërkohë lidhur me refuzimin e gazit amerikan nga qeveria në detyrë, ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka paralajmëruar edhe protestë./RTV21/21Media



