Një projekt gjigant për energjinë solare në Serbi pritet të marrë mbështetje financiare prej rreth 900 milionë eurosh nga agjencia koreane e sigurimeve të eksportit K-Sure, sipas raportimeve ndërkombëtare.
Projekti parashikon ndërtimin e kapaciteteve solare me fuqi totale prej 1 gigavati (GW), të kombinuara me sisteme të ruajtjes së energjisë (BESS), duke e renditur atë ndër investimet më të mëdha në sektorin e energjisë së ripërtërishme në rajon.
Sipas raportimeve, financimi i K-Sure do të realizohet përmes një strukture ri-sigurimi që mbulon pjesën e financimit të lidhur me eksportet e pajisjeve nga Koreja e Jugut, ndërsa në projekt janë të përfshira kompani ndërkombëtare të inxhinierisë dhe zhvillimit, përfshirë Hyundai Engineering dhe UGT Renewables.
Projekti është pjesë e planit më të gjerë energjetik të Serbisë për transformimin e sistemit elektroenergjetik dhe rritjen e pjesës së burimeve të ripërtërishme në përzierjen energjetike të vendit.
Ai përfshin ndërtimin e gjashtë centraleve solare në lokacione të ndryshme në Serbi, të lidhura me sistemin energjetik dhe të shoqëruara me kapacitete baterish për balancimin e rrjetit.
Autoritetet serbe e shohin projektin si pjesë të tranzicionit energjetik dhe përgatitjeve për integrim më të thellë në tregjet evropiane të energjisë, ndërsa financimi ndërkombëtar shihet si element kyç për realizimin e tij.
Ndërtimi i projektit pritet të fillojë gjatë vitit 2026, sipas planeve të mëhershme të operatorit shtetëror serb të energjisë.



