Home / Lajme / Rajoni / Mali i Zi hap në korrik tenderët për modernizimin e një linje strategjike të transmetimit me Shqipërinë dhe Bosnjën

Mali i Zi hap në korrik tenderët për modernizimin e një linje strategjike të transmetimit me Shqipërinë dhe Bosnjën

Operatori malazez i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, CGES, pritet të hapë gjatë muajit korrik tenderët për furnizime dhe shërbime konsulence në kuadër të një projekti me vlerë 16.5 milionë euro për modernizimin e një linje 220 kV që lidh Malin e Zi me Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Lajmi është bërë i ditur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Projekti synon modernizimin e korridorit të transmetimit Trebinje – Perucica – Podgoricë – Vau i Dejës, një nga lidhjet më të rëndësishme energjetike në rajon. Sipas BERZH-it, investimi do të dyfishojë kapacitetin e këtij korridori nga rreth 300 MW në afërsisht 600 MW, duke përmirësuar sigurinë dhe efikasitetin e transmetimit të energjisë elektrike si dhe lidhjet ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor.

Punimet do të përfshijnë zëvendësimin e përçuesve ekzistues përgjatë segmentit malazez të linjës me teknologji të avancuar të tipit High Temperature Low Sag (HTLS), në një gjatësi prej rreth 100 kilometrash nga kufiri me Bosnjë e Hercegovinën deri te kufiri me Shqipërinë.

Financimi kryesor i projektit sigurohet përmes një kredie deri në 15 milionë euro nga BERZH, ndërsa kostoja totale e investimit vlerësohet në rreth 16.95 milionë euro, përcjell Energy Monitor.

Autoritetet malazeze kanë theksuar se projekti është i rëndësishëm edhe për integrimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme në rrjet, forcimin e sigurisë së furnizimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit energjetik në nivel rajonal.

Linja e modernizuar do të përforcojë më tej korridorin energjetik që lidh Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në zgjerimin e infrastrukturës për të përballuar rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtërishme dhe flukset ndërkufitare të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com