Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Hapet tenderi mbi 2.1 milionë euro për rindërtimin e rrjetit elektrik në Berat

Shqipëri: Hapet tenderi mbi 2.1 milionë euro për rindërtimin e rrjetit elektrik në Berat

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Shqipëri ka hapur një tender me vlerë rreth 2.1 milionë euro për rikonstruksionin e rrjetit elektrik në zonën e Beratit. Projekti përfshin ndërtimin e një fideri të ri 20 kV në Nënstacionin Plasmas 110/20 kV, si dhe rikonstruksionin e kabinave elektrike dhe rrjetit të tensionit të ulët, me synim përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Sipas dokumentacionit të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik e Shqipërisë, investimi synon modernizimin e infrastrukturës ekzistuese, uljen e humbjeve teknike dhe garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm për konsumatorët.

Referuar relacionit teknik, zona aktualisht furnizohet nga Fideri nr. 9/6 kV i Nënstacionit Plasmas, një linjë e ndërtuar disa dekada më parë, e cila mbulon një territor të gjerë dhe furnizon një numër të madh fshatrash, përfshirë Kashtëbardhën, Qerretin e Ri, Qerretin e Vjetër, Biçakajn, Kadiajn, Jeta e Re, Kosovë e Vogël, Barbullinjën, Sejmenasin, Koçajn, Fiersheganin, Thanën dhe Çinarin.

Sipas OSSH-së, rrjeti ekzistues paraqet performancë të dobët për shkak të amortizimit të linjave dhe pajisjeve. Humbjet teknike në këtë fider arrijnë rreth 25%, ndërsa gjatë vitit janë regjistruar dhjetëra ndërprerje të furnizimit. Po ashtu, rrjeti i tensionit të ulët është ndërtuar kryesisht në vitet ’70 dhe përmban pajisje që nuk përmbushin më standardet teknike.

Probleme janë evidentuar edhe në kabinat e transformacionit, ku raportohen dëmtime në muraturë, mungesë hidroizolimi, amortizim i pajisjeve komutuese dhe mbrojtëse, si dhe defekte në panelet e tensionit të ulët.

Sipas OSSH-së, rrjeti aktual paraqet gjithashtu rrezik për sigurinë e banorëve, pasi në disa zona linjat kalojnë pranë ose mbi banesa, duke krijuar mundësi edhe për ndërhyrje të paligjshme në rrjet.

Projekti parashikon ndërtimin e një fideri të ri 20 kV, i cili do të lehtësojë ngarkesën e linjës ekzistuese 6 kV dhe do të mundësojë kalimin e shumicës së kabinave në nivelin 20 kV. Gjithashtu do të realizohet rikonstruksioni i plotë i rrjetit të tensionit të ulët dhe zëvendësimi i pajisjeve të amortizuara.

Me këtë investim synohet ulja e humbjeve teknike, reduktimi i ndërprerjeve, përmirësimi i parametrave të tensionit, rritja e sigurisë së rrjetit dhe garantimi i një furnizimi më cilësor me energji elektrike për familjet dhe bizneset e zonës. Investimi është pjesë e programit të OSSH-së për modernizimin e rrjetit shpërndarës në Shqipëri.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com