Punimet për përmirësimin e rrjetit elektrik po vazhdojnë në zonën e Prugovcit, ku Operimi i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur një ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore në segmentin që lidhet me Rimanishtën.
Projekti përfshin ndërtimin e një rrjeti të ri elektrik, përmes vendosjes së shtyllave të betonit përgjatë trasës dhe zëvendësimit të linjës ekzistuese të amortizuar me rreth dy kilometra rrjet të ri ajror. Ndërhyrja synon të rrisë ndjeshëm cilësinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike në këtë zonë, përcjell Energy Monitor.
Ky investim pritet të përmirësojë sigurinë operacionale të rrjetit dhe ta bëjë atë më të lehtë për mirëmbajtje dhe menaxhim teknik. Në të njëjtën kohë, do të mundësojë reagim më të shpejtë në rast të defekteve, duke kontribuar në një furnizim më të besueshëm dhe më të qëndrueshëm për konsumatorët.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, vazhdon procesi i modernizimit të infrastrukturës elektrike, me fokus në rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.



