Erërat e forta që kanë përfshirë Kosovën mund të shkaktojnë dëme në infrastrukturën e rrjetit elektrik, veçanërisht në rajonet e Pejës dhe Gjakovës, ka paralajmëruar Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
Në njoftimin për konsumatorët, kompania ka kërkuar kujdes të shtuar dhe ka apeluar që qytetarët të qëndrojnë larg linjave elektrike, të cilat mund të paraqesin rrezik gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.
KEDS ka bërë të ditur se ekipet e saj janë në terren në zonat e prekura dhe po punojnë për sanimin e dëmeve të mundshme dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike, përcjell Energy Monitor.
Kompania u ka kërkuar konsumatorëve mirëkuptim gjatë intervenimeve, duke theksuar se siguria duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët.
Erërat e forta dhe faktorët e tjerë atmosferikë mund të shkaktojnë ndërprerje të paplanifikuara të energjisë elektrike dhe dëmtime në rrjetin e shpërndarjes.



