Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka realizuar blerjen e parë të energjisë elektrike për vitin 2026, duke kontraktuar 331,200 MWh për periudhën 1 korrik – 30 shtator, me një vlerë prej rreth 41.6 milionë euro, pa TVSH.
Veç sasisë së konsiderueshme, procedura shënon edhe një ndryshim në mënyrën e sigurimit të energjisë. Ndryshe nga praktika e deritanishme, ku energjia importohej kryesisht për periudha javore ose afatshkurtra, kësaj radhe KESH ka siguruar furnizimin për të gjithë tremujorin e tretë të vitit.
Energjia është kontraktuar me një çmim mesatar prej 125.47 euro/MWh.
Importi vjen pas një periudhe të favorshme hidrike në muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave financiare të KESH-it, gjatë periudhës janar–prill 2026 janë shitur 456,945 MWh energji elektrike me një çmim mesatar prej 60.51 euro/MWh, duke gjeneruar të ardhura prej rreth 33.15 milionë euro, me TVSH.
Megjithatë, me hyrjen në sezonin veror situata energjetike ndryshon. Ulja e prurjeve në kaskadën e lumit Drin dhe rritja e konsumit gjatë muajve të nxehtë rrisin nevojën për import të energjisë elektrike.
Edhe gjatë vitit 2025, Shqipëria u mbështet në importe përgjatë gjithë vitit. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), KESH shpenzoi rreth 272.2 milionë euro (me TVSH) për blerjen e energjisë elektrike gjatë vitit të kaluar.
Ndryshimi i praktikës së prokurimit drejt kontratave tremujore mund të synojë rritjen e sigurisë së furnizimit dhe uljen e ekspozimit ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet afatshkurtra të energjisë, gjatë periudhës kur kërkesa në rajon është tradicionalisht më e lartë.



