Home / Lajme / Rajoni / Volkswagen siguron nanotuba nga Serbia për bateritë e veturave elektrike

Volkswagen siguron nanotuba nga Serbia për bateritë e veturave elektrike

Grupi Volkswagen do të furnizohet me nanotuba karboni nga kompania OCSiAl për përdorim në bateritë e veturave elektrike, përmes platformës së re të qelizave të unifikuara të njohur si “Unified Cell”, që zhvillohet nga filiali i tij PowerCo.

Furnizimi do të vijë nga fabrika e OCSiAl në Stara Pazova në Serbi, e cila është aktive që nga viti 2024 dhe tashmë është integruar në zinxhirin evropian të prodhimit të komponentëve për bateri EV, njofton Balkan Energy News.

Sipas kompanisë, nanotubat përdoren në sistemet e katodës dhe anodës së baterive litium-jon, duke përmirësuar përçueshmërinë elektrike, performancën gjatë karikimit dhe jetëgjatësinë e qelizave të baterisë.

PowerCo, filiali i Volkswagen Group për prodhimin e baterive, po zhvillon kapacitete të reja në Evropë, përfshirë edhe fabrikën në Salzgitter të Gjermanisë, e cila është një nga linjat e para të plota për prodhimin e qelizave të baterive në kontinent, përcjell Energy Monitor.

Sipas OCSiAl, materialet e prodhuara në Serbi tashmë kalojnë standarde të rrepta cilësie dhe furnizojnë një pjesë të madhe të prodhuesve evropianë të baterive EV, duke e pozicionuar vendin si një hallkë të rëndësishme në zinxhirin e ri energjetik dhe të mobilitetit elektrik në Evropë.

/Energy News

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com