Vizita studimore u organizua nga MCA-Kosovo në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e projektit të baterive për ruajtjen e energjisë (BESS) në Kosovë.
Përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ministrisë së Ekonomisë dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) kanë zhvilluar një vizitë studimore në Slloveni për t’u njohur nga afër me zhvillimin dhe integrimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë (Battery Energy Storage Systems – BESS).
Vizita u organizua nga MCA-Kosovo dhe u prit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Sllovenisë, si dhe Agjencia Sllovene e Energjisë.
Gjatë takimeve, delegacioni nga Kosova u informua mbi politikat energjetike, legjislacionin, kërkesat rregullatore dhe organizimin institucional që kanë mundësuar zhvillimin dhe integrimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë në Slloveni, përcjell Energy Monitor.
Sipas MCA-Kosovo, përvojat e fituara gjatë kësaj vizite do të ndihmojnë në zbatimin e Projektit të Ruajtjes së Energjisë në Kosovë, si dhe në zhvillimin e kuadrit politik dhe rregullator të nevojshëm për funksionalizimin e teknologjive të ruajtjes së energjisë në vend.
Projekti i Sistemeve të Baterive për Ruajtjen e Energjisë (BESS), i cili po zbatohet në kuadër të Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Kosovës, konsiderohet një nga projektet më inovative energjetike në rajon dhe një nga investimet më të mëdha në sektorin energjetik të Kosovës në dekadat e fundit.
Ky projekt synon të rrisë fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik, të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.



