Dalja nga funksioni e disa njësive prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka rikthyer debatet për sigurinë e furnizimit me energji elektrike në periudhën e rritjes së konsumit gjatë sezonit veror.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ngritur shqetësime për gjendjen e kapaciteteve prodhuese, duke deklaruar se disa blloqe të termocentraleve nuk janë në operim.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar pas ndërprerjes së punës së njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, duke thënë se situatat kur një bllok i termocentralit nuk është në funksion janë bërë të zakonshme.
“Është bërë normale të thuash se një bllok i termocentralit nuk punon”, ka deklaruar Ymeri, duke kritikuar gjendjen e kapaciteteve prodhuese vendore.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka deklaruar se gjatë ditës së sotme jashtë prodhimit kanë qenë blloqet B1, A3 dhe A5.
“Sot blloqet B1, A3 dhe A5 nuk po prodhojnë. Në kulmin e sezonit veror, kur kemi mërgatën në Kosovë, turistët e Sunny Hill dhe festivale të tjera, prodhimi i energjisë ka rënë nën 50%”, ka shkruar Sadiku.
Sipas tij, situata nuk është vetëm një çështje teknike, por lidhet me planifikimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike.
Kosova prodhon më pak se një të tretën e nevojave?
Shqetësimet për nivelin e prodhimit janë ngritur edhe nga ish-ministri i Ekonomisë, Artan Behrami, i cili ka deklaruar se Kosova aktualisht po prodhon më pak se një të tretën e energjisë së nevojshme.
Sipas Behramit, reduktimi i prodhimit vendor rrit varësinë nga importet në një periudhë kur kërkesa për energji është më e lartë.
Megjithatë, të dhënat zyrtare për gjendjen e njësive prodhuese dhe kapacitetin aktual të disponueshëm pritet të sqarojnë më tej nivelin real të prodhimit dhe ndikimin në furnizimin me energji.
Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” mbeten burimi kryesor i prodhimit vendor të energjisë elektrike, ndërsa mirëmbajtja dhe disponueshmëria e tyre konsiderohen faktorë kyç për sigurinë energjetike të vendit.


