Home / Lajme / Rajoni / Karakaçi: Shqipëria avancon investimet në infrastrukturën energjetike

Karakaçi: Shqipëria avancon investimet në infrastrukturën energjetike

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se gjatë shtatë muajve të parë të vitit kanë vazhduar investimet në sektorin energjetik, me fokus në rritjen e sigurisë së furnizimit dhe forcimin e infrastrukturës elektrike.

Sipas Karakaçit, ndër projektet kryesore në sektorin e energjisë janë investimet në nënstacione dhe rritja e kapaciteteve të rrjetit elektrik, përfshirë zgjerimin e kapaciteteve në nënstacionet Elbasan 3 dhe Tiranë 3, si dhe ndërtimin e nënstacionit të ri energjetik në Kamzë.

“Investime që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës publike, rritjen e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shkruar Karakaçi në rrjetet sociale.

Ministri ka theksuar gjithashtu se vijon puna për zhvillimin e Vlorës si një qendër energjetike, në kuadër të synimit të Shqipërisë për të forcuar rolin e saj në sektorin energjetik rajonal.

Përveç energjisë, gjatë kësaj periudhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar për progres edhe në projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë rrugët, ujësjellësit dhe transportin.

Investimet në rrjetin energjetik vijnë në një periudhë kur Shqipëria po synon të rrisë kapacitetet e saj energjetike dhe të shfrytëzojë më tej potencialin nga burimet e energjisë së ripërtëritshme, veçanërisht energjinë hidrike dhe atë diellore.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com