Home / Lajme / Tjera / Edhe kryeshefi i KOSTT-it, Trim Tërnava, do të jetë folës në Energy Week Western Balkans

Edhe kryeshefi i KOSTT-it, Trim Tërnava, do të jetë folës në Energy Week Western Balkans

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, do të jetë një nga folësit në edicionin e pestë të konferencës Energy Week Western Balkans, e cila do të mbahet më 7 dhe 8 tetor në Maestral Resort në Mal të Zi.

Organizatorët thonë se tranzicioni energjetik nuk lidhet më vetëm me ndërtimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme, por gjithnjë e më shumë me aftësinë e rrjetit për ta integruar këtë energji në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.

Si operator i sistemit të transmetimit të Kosovës, KOSTT ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e interkoneksioneve rajonale, integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e rrjetit për rritjen e prodhimit nga era dhe dielli.

Një nga temat kryesore pritet të jetë edhe ruajtja e energjisë me bateri. Në kuadër të Programit Kompakt të MCC-së për Kosovën po zhvillohet një projekt për ruajtjen e energjisë me kapacitet prej 170 MW/340 MWh, me investim rreth 180 milionë dollarë, përcjell Energy Monitor.

KOSTT do të zotërojë dhe operojë një pjesë prej 45 MW/90 MWh të sistemit të baterive, e cila do të përdoret për reagimin e shpejtë të sistemit ndaj ndryshimeve në prodhimin dhe konsumin e energjisë. Pjesa tjetër, prej 125 MW/250 MWh, do të zhvillohet përmes Korporatës së Ruajtjes së Energjisë së Kosovës (ESCorp).

Në konferencë do të marrë pjesë edhe Florina Duli Sefaj, drejtoreshë ekzekutive e MCA Kosovës, e cila është konfirmuar më herët si një nga folëset. Ajo pritet të prezantojë projektet e ruajtjes së energjisë me bateri dhe rolin e tyre në forcimin e sigurisë energjetike dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme në Kosovë.

Energy Week Western Balkans mbledh përfaqësues të institucioneve, kompanive energjetike, investitorëve dhe institucioneve financiare nga rajoni. Në edicionin e këtij viti pritet të diskutohen rrjetet e transmetimit, fleksibiliteti i sistemit, ruajtja e energjisë, energjia e ripërtëritshme dhe integrimi rajonal i tregjeve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com