Kontrata mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, AD ESM (apo EMV), për shitjen e linjitit parasheh rreth 3 milionë tonë për 36 muaj, me çmim prej 24.40 euro për ton, pa TVSH. Nëse realizohet e gjithë sasia e paraparë, vlera e marrëveshjes arrin rreth 73.2 milionë euro, ndërsa sasia mund të ndryshojë me plus ose minus 30 për qind.
Kontrata nuk është bërë publike për herë të parë tani. Dokumenti dhe kushtet e saj kanë qenë të publikuara që në fillim të procesit, ndërsa analiza e dokumentit të plotë tregon më qartë se si do të realizohet marrëveshja dhe cilat janë përgjegjësitë e KEK-ut dhe ESM-së, përcjell Energy Monitor.
Kontrata nuk parashikon që KEK-u ta nxjerrë linjitin dhe t’ia dorëzojë ESM-së si produkt të gatshëm. Sipas kushteve të saj, ESM do të jetë përgjegjëse për eksploatimin, grumbullimin, ngarkimin, përpunimin dhe transportin e linjitit, duke përdorur pajisjet e veta ose kompani të autorizuara prej saj. Kjo e bën marrëveshjen dukshëm më të gjerë sesa një kontratë e zakonshme për shitjen e linjitit.
ESM duhet të gjejë operatorin që do ta nxjerrë dhe transportojë linjitin
Kontrata i lejon ESM-së që këto punë t’i kryejë vetë ose përmes operatorëve ekonomikë të përzgjedhur prej saj. ESM mbetet përgjegjëse për kompanitë që angazhon, ndërsa KEK-u nuk ka marrëdhënie kontraktuale me këta operatorë.
Sipas ESM-së, për realizimin e punëve do të përzgjidhet një operator ekonomik që do të merret me gërmimin, analizimin e cilësisë, ngarkimin dhe transportin e linjitit nga Obiliqi deri te depot e termocentraleve të Manastirit dhe Osllomesë, njofton Energy Monitor.
Kontrata mes KEK-ut dhe ESM-së hyn në fuqi vetëm pasi ESM të lidhë dhe t’i vërë në fuqi marrëveshjet me kontraktorët për eksploatimin dhe transportin. Për këtë është përcaktuar afat prej 120 ditësh nga nënshkrimi i kontratës.
Kjo do të thotë se nënshkrimi i kontratës nuk nënkupton edhe fillimin automatik të eksploatimit. Fillimi operacional varet nga përzgjedhja dhe angazhimi i kontraktorëve nga ana e ESM-së.
KEK-u garanton qasjen në linjit, ndërsa ESM mbulon kostot e nxjerrjes
KEK-u duhet t’i sigurojë blerësit qasje në zonat minerare dhe kushtet për eksploatimin e sasisë së paraparë.
Kontrata përcakton në mënyrë të veçantë kushte për nxjerrjen e 600 mijë tonëve të parë, të ndarë në dy pjesë nga 300 mijë tonë.
Për pjesën tjetër të sasisë së planifikuar, KEK-u duhet të sigurojë fushën përkatëse të eksploatimit dhe dokumentacionin teknik. Nëse ajo zonë nuk mund të përdoret, kontrata parasheh që KEK-u të përcaktojë një fushë tjetër në distancë jo më të madhe se 2 kilometra nga zona përkatëse.
Në anën tjetër, të gjitha kostot e eksploatimit, pajisjeve, ngarkimit dhe transportit i bart ESM-ja.
Kjo është e rëndësishme për të kuptuar çmimin e marrëveshjes: 24.40 euro për ton është çmimi që ESM i paguan KEK-ut për linjitin dhe nuk përfaqëson koston përfundimtare të tij për kompaninë maqedonase. ESM duhet t’i shtojë këtij çmimi edhe shpenzimet për nxjerrjen, përpunimin, ngarkimin dhe transportin.
Cilësia e linjitit: rreth 1,950 kcal/kg sipas analizave të ESM-së
Një nga elementet që ka rëndësi për përdorimin e linjitit në termocentralet maqedonase është cilësia e tij.
ESM ka bërë të ditur se analizat laboratorike të kryera për linjitin e Kosovës kanë treguar përmbajtje të ulët të squfurit dhe hirit, ndërsa vlera mesatare kalorike është rreth 1,950 kcal/kg. Sipas kompanisë maqedonase, këto karakteristika janë të përshtatshme për parametrat e termocentraleve të Manastirit dhe Osllomesë.
Në dokumentacionin kontraktual përcaktohen edhe parametra teknikë të cilësisë, përfshirë një vlerë energjetike prej jo më pak se 7,531 kJ/kg, përmbajtje të squfurit deri në 1 për qind dhe hi nën 20 për qind, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, kontrata parashikon një përjashtim të rëndësishëm për squfurin: KEK-u nuk mban përgjegjësi juridike nëse përmbajtja e squfurit është 1 për qind ose më e lartë për shkak të karakteristikave natyrore të vendburimit ose faktorëve që janë jashtë kontrollit të arsyeshëm të Korporatës.
Kjo e bën kontrollin e cilësisë një pjesë të rëndësishme të realizimit të marrëveshjes. ESM duhet të ketë laboratorin e vet, stacionar ose mobil, pranë zonës së eksploatimit, ndërsa mostrat dhe matjet do të përdoren për përcaktimin e karakteristikave të linjitit gjatë realizimit të kontratës.
Tre milionë tonë nuk janë një sasi e garantuar fikse
Tre milionë tonët nuk janë një sasi fikse dhe e garantuar. Kontrata lejon devijim prej ±30 për qind, që teorikisht e vendos sasinë ndërmjet rreth 2.1 dhe 3.9 milionë tonëve.
Për këtë arsye, edhe vlera prej 73.2 milionë eurosh duhet të shihet si vlerë e përafërt, e llogaritur mbi bazën e 3 milionë tonëve.
Me çmimin e kontratës prej 24.40 euro për ton, realizimi i 2.1 milionë tonëve do të sillte rreth 51.24 milionë euro, ndërsa 3.9 milionë tonë do të përfaqësonin rreth 95.16 milionë euro, pa TVSH.
Dokumentet e procedurës tregojnë gjithashtu se 24.40 euro për ton ishte çmimi rezervë, ose minimal, i përcaktuar nga KEK-u që në fillim të procesit, ndërsa vlera e parashikuar ishte 73.2 milionë euro.
Qymyri nuk mund të merret pa autorizim nga KEK-u
Edhe pse ESM merr përsipër pjesën kryesore të operacioneve në terren, ajo nuk mund të marrë linjit sipas nevojës pa koordinim me KEK-un.
Për çdo tërheqje, ESM duhet të paraqesë paraprakisht një kërkesë me shkrim, ku përcakton sasinë e linjitit, kohën e planifikuar të ngarkimit, numrin e automjeteve dhe të dhënat e tyre. Kërkesa duhet të dorëzohet të paktën 48 orë para ngarkimit.
KEK-u duhet t’i mundësojë blerësit qasje në pikën e ngarkimit 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, por aktivitetet e ESM-së dhe kontraktorëve të saj nuk duhet të pengojnë operacionet e KEK-ut.
Pagesa bëhet sipas linjitit të marrë
KEK-u faturon linjitin e dorëzuar në baza javore, ndërsa ESM duhet t’i kryejë pagesat brenda 30 ditësh nga pranimi i faturës.
Kontrata vendos edhe një kufi për sasinë e linjitit të dorëzuar por të papaguar. Ajo nuk mund të kalojë 60 mijë tonë, që me çmimin prej 24.40 euro për ton përfaqëson rreth 1.46 milionë euro, pa TVSH, përcjell Energy Monitor.
Nëse ky kufi arrihet, KEK-u mund të pezullojë furnizimin derisa detyrimet e papaguara të ulen.
Kjo do të thotë se, edhe pse pagesa nuk bëhet paraprakisht, kontrata vendos një kufi të përcaktuar për ekspozimin financiar të KEK-ut ndaj blerësit.
ESM pret rreth 800 GWh energji shtesë në vit
Për kompaninë maqedonase, përfitimi nga marrëveshja nuk lidhet vetëm me sigurimin e linjitit.
ESM ka deklaruar se përdorimi i linjitit të Kosovës mund t’i mundësojë rreth 800 GWh prodhim shtesë të energjisë elektrike në vit, nga i cili pret rreth 57 milionë euro të hyra vjetore. Kompania ka thënë gjithashtu se përdorimi i linjitit të Kosovës do ta zvogëlojë nevojën për mazut.
ESM ka deklaruar edhe se pret reduktim të emetimeve, për shkak të nevojës për djegien e një sasie më të vogël të linjitit në termocentrale. Këto janë përllogaritje të kompanisë maqedonase dhe jo të hyra apo përfitime të garantuara nga kontrata me KEK-un.
Një marrëveshje direkte, por me operator privat në terren
KEK-u e ka paraqitur marrëveshjen si një ndryshim nga kontratat e mëparshme, pasi linjiti i shitet drejtpërdrejt përdoruesit përfundimtar, ESM-së, pa një ndërmjetës privat në mes.
Në praktikë, megjithatë, një kompani private mund të jetë e përfshirë në operacion. Dallimi është se ajo nuk do ta blejë linjitin nga KEK-u, por do të jetë kontraktor i ESM-së për nxjerrjen, përpunimin dhe transportin e tij.
Pra, marrëveshja eliminon ndërmjetësin në shitjen e linjitit, por nuk e përjashton përfshirjen e operatorëve privatë në eksploatimin dhe transportin.
KEK-u ruan të drejtën për të mbrojtur furnizimin e termocentraleve
Kontrata parashikon edhe mbrojtje për KEK-un në rast se prodhimi ose furnizimi me linjit për termocentralet e Kosovës rrezikohet.
Nëse realizimi i marrëveshjes do të cenonte furnizimin e nevojshëm për funksionimin normal të termocentraleve të KEK-ut, Korporata ka të drejtë të pezullojë ose të ndërpresë marrëveshjen sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.
Kjo dispozitë është veçanërisht e rëndësishme pasi marrëveshja zgjat 36 muaj dhe lidhet drejtpërdrejt me një prej burimeve kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Nëse realizohet sipas kushteve të parapara, marrëveshja i siguron KEK-ut një blerës të drejtpërdrejtë për linjitin për tre vjet, ndërsa ESM-së i siguron qasje në linjit për prodhimin e energjisë. Rezultati real ekonomik për të dyja palët, megjithatë, do të varet nga sasia që do të nxirret, cilësia e linjitit, kostoja e eksploatimit dhe transportit dhe kapaciteti i ESM-së për ta realizuar operacionin në praktikë.



