Kosova ka lidhur marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për shitjen e rreth 3 milionë tonëve qymyr nga miniera e Obiliqit, me çmim prej 24.40 euro për ton. Marrëveshja, me vlerë të përafërt prej 73.2 milionë eurosh, parashihet të zgjasë tre vjet.
Profesori universitar Nagip Skenderi e ka kritikuar marrëveshjen, duke e krahasuar atë me mënyrën se si, sipas tij, burimet energjetike të Kosovës shfrytëzoheshin në vitet ’70 dhe ’80.
“Po përsëritet e njëjta situatë si në vitet ’70–’80 të shekullit të kaluar, kur Kosova i shiste rrymë ndërmarrjes ‘Elektrana’ të Shkupit për 1 dinar jugosllav për kilovat, me një kontratë të siguruar 10-vjeçare. E njëjta ndërmarrje e eksportonte rrymën tonë në Greqi për një çmim dhjetëfish më të lartë dhe fitonte me resurset tona”, ka thënë Skenderi.
Sipas tij, për Kosovën do të ishte më e leverdishme që qymyri të përdorej për prodhimin e energjisë elektrike në vend, duke ulur nevojën për import dhe duke krijuar mundësi edhe për eksport të energjisë.
“Duhet të llogariten faktorë të tjerë të kostos, shpenzimet e nxjerrjes nga nëntoka, shpenzimet e përpunimit, shpenzimet e transportit dhe shpenzimet e tjera. Kështu që çmimi neto, i pastër, dukshëm është më i vogël dhe kjo pastaj ndikon në çmimin jo të favorshëm që pason nga shitja e thëngjillit”, ka deklaruar ai.
Skenderi shpreh shqetësimin se një marrëveshje e tillë mund të çojë në shfrytëzimin e resurseve të Kosovës pa përfitim të mjaftueshëm për vendin.
Kritikat vijnë në një kohë kur Kosova vazhdon të importojë energji elektrike, ndërsa qymyri mbetet burimi kryesor për prodhimin vendor të energjisë. Në këtë kontekst, marrëveshja për eksportin e rreth 3 milionë tonëve qymyr ka hapur diskutim nëse përdorimi i kësaj sasie jashtë vendit është alternativa më e favorshme për sigurinë energjetike dhe ekonominë e Kosovës.
Një pikë tjetër e diskutueshme është çmimi prej 24.40 eurosh për ton. Sipas dokumentacionit të tenderit, kjo shumë ishte përcaktuar nga KEK-u si çmim rezervë që në janar 2026, para përfundimit të procesit të prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës.
Kontrata është publikuar që nga fillimi dhe parashikon shitjen e rreth 3 milionë tonëve me devijim prej ±30 për qind. Përveç shitjes së qymyrit, marrëveshja i lejon palës maqedonase të organizojë përmes pajisjeve dhe kontraktorëve të saj edhe nxjerrjen, përpunimin, ngarkimin dhe transportin e tij.



