Sindikata e Re e KEK-ut ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për mënyrën se si ka reaguar ndaj rasteve të fundit me fatalitet në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Reagimi vjen pasi BSPK-ja zhvilloi takim me Bordin e Drejtorëve dhe Menaxhmentin e KEK-ut, ku u diskutua për sigurinë industriale dhe shëndetin në vendin e punës. KEK-u bëri të ditur se është duke u realizuar edhe një vlerësim i rrezikshmërisë në vendet e punës.
Sindikata e Re e KEK-ut e ka kritikuar BSPK-në për, siç thotë, mungesën e reagimit pas rasteve me fatalitet.
“Duket se BSPK-ja kishte harruar se është sindikatë. Për fat, sot ua kujtoj Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut, duke i ftuar në takim”, thuhet në reagim, përcjell Energy Monitor.
Sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, në KEK kanë ndodhur katër raste me fatalitet dhe BSPK-ja nuk ka reaguar në mënyrën që, sipas saj, do të duhej.
“Tash, pas gjithë kësaj, dolën edhe në fotografi. Sindikatë me ftesë, jo me reagim”, thuhet më tej.
Sindikalistët thonë se përfaqësimi i punëtorëve duhet të jetë i drejtpërdrejtë, veçanërisht në rastet kur rrezikohet siguria dhe jeta e tyre.
“Kur punëtori rrezikon jetën, sindikata duhet të jetë në krah të tij, jo të presë ftesë”, përfundon reagimi.
Ky reagim vjen në një ditë kur KEK-u ka kërkuar që përgjegjësitë për rastet e fundit të mos përcaktohen para përfundimit të hetimeve nga organet kompetente.



