Home / Lajme / Tjera / KEK-u i përgjigjet Sindikatës: Deklarimet e pavërteta nuk i shërbejnë sigurisë së punonjësve

KEK-u i përgjigjet Sindikatës: Deklarimet e pavërteta nuk i shërbejnë sigurisë së punonjësve

KEK-u ka reaguar ndaj deklarimeve të Sindikatës së Re të KEK-ut lidhur me sigurinë në punë dhe pajisjet mbrojtëse, duke i cilësuar disa prej pretendimeve si të pavërteta.

Në një reagim, KEK-u thotë se aktualisht janë në fuqi katër kontrata kornizë për furnizim me pajisje mbrojtëse në punë. Sipas korporatës, çështje e veçantë mbetet furnizimi me këpucë mbrojtëse, pasi procedura e prokurimit për to nuk ka përfunduar me sukses.

KEK-u ka kërkuar nga Sindikata e Re që, nëse pretendon se ka mangësi në pajisjet mbrojtëse, ato të identifikohen konkretisht dhe të mbështeten me fakte. Korporata thotë se i ka ofruar sindikatës bashkëpunim dhe transparencë për adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë në punë.

Sipas KEK-ut, sindikatave u është bërë gjithashtu ftesë për përfshirje të drejtpërdrejtë në Task-Forcën për rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, përcjell Energy Monitor.

Reagimi i KEK-ut vjen pas deklarimeve publike të Sindikatës së Re të KEK-ut për mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe kushteve të sigurta të punës, në një kohë kur Korporata është përballur me disa raste me fatalitet.

KEK-u ka kritikuar veçanërisht deklarimet që përcaktojnë shkaqe apo përgjegjësi për aksidentet, derisa hetimet nga organet kompetente janë ende në zhvillim.

“Kushdo” nuk mund t’i paraqesë si fakte përfundime që ende nuk janë përcaktuar nga hetimi, thotë KEK-u, duke kërkuar që familjeve të prekura t’u respektohet e drejta për të vërtetën dhe zbardhjen e plotë të rasteve.

Në fund, KEK-u thotë se çështjet e sigurisë së punonjësve do të trajtohen me përgjegjësi, transparencë dhe në përputhje me faktet, ndërsa paralajmëron se nuk do të tolerojë, siç shprehet, “dezinformimin apo krijimin e perceptimeve të pabazuara”.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com