Nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka ngritur shqetësime për pavarësinë e ekspertëve të sigurisë në vendin e punës, duke thënë se ata shpesh mund të hezitojnë të alarmojnë për rreziqet për shkak të varësisë së tyre financiare nga punëdhënësi.
Llumnica i bëri këto deklarime në emisionin “60 Minuta” në KTV, ndërsa artikulli me deklaratat e tij është publikuar nga Koha.net.
Sipas tij, ekspertët e sigurisë në KEK janë të punësuar dhe paguhen nga vetë korporata, çka, sipas tij, mund të ndikojë në pavarësinë e tyre kur identifikojnë rreziqe në vendin e punës.
“Ekspertët në KEK marrin pagën brenda korporatës. Kur del eksperti në terren, mund të thotë se kjo është e pasigurt e punëtori nuk duhet të punojë, por shembull menaxhmenti e ka për ngut një punë dhe eksperti frikësohet sepse është i varur nga paga e tij”, ka deklaruar Llumnica në “60 Minuta”.
Ai ka thënë se, për këtë arsye, disa ekspertë mund të mos japin fare alarm për rrezikun ose ta bëjnë këtë vetëm pjesërisht.
“Mendoj se kanë frikë dhe për këtë nuk japin alarme apo i japin në mënyrë gjysmake”, ka thënë ai.
Llumnica ka kërkuar nga Qeveria që ekspertët e sigurisë dhe shëndetit në punë të jenë financiarisht të pavarur nga punëdhënësit. Sipas tij, kjo mund të realizohet përmes krijimit të një fondi të përbashkët nga ndërmarrjet publike dhe private, i cili do të mundësonte funksionimin e pavarur të ekspertëve.
“Kjo në mënyrë që punëdhënësi të mos mbizotërojë te eksperti i sigurisë, duke mos e lënë të bëjë alarme. Kemi raste të tilla”, ka thënë Llumnica.
Ai ka shtuar se problemet me sigurinë në punë nuk janë të kufizuara vetëm në KEK, duke theksuar se në Kosovë po raportohen aksidente të shpeshta në vendet e punës.
Deklaratat e Llumnicës vijnë pas disa rasteve me fatalitet në KEK. Sindikata e Re e KEK-ut ka zhvilluar të martën një aksion simbolik para zyrave të korporatës, ku janë vendosur edhe fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.
Përmes këtij aksioni, sindikata ka kërkuar kushte më të mira dhe më të sigurta për punëtorët. Brenda një muaji, tre punëtorë të KEK-ut kanë humbur jetën në vendin e punës.



