Home / Highlights / Deri në 280 familje do të përfitojnë nga masat e efiçiencës së energjisë në Kosovë

Deri në 280 familje do të përfitojnë nga masat e efiçiencës së energjisë në Kosovë

Deri në 280 familje në Kosovë do të përfitojnë deri në vitin 2028 nga investimet për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në banesat e tyre, përmes projektit “E ardhmja e Energjisë së Gjelbër”, të financuar nga Qeveria e Danimarkës.

Sipas Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), deri tani 51 shtëpi janë rinovuar, ndërsa 78 janë në proces të punimeve dhe rreth 60 të tjera janë në fazën e prokurimit.

Investimet realizohen në shtëpi të familjeve të përzgjedhura nga lista e përfituesve të asistencës sociale. Masat përfshijnë izolimin e mureve të jashtme dhe kulmit, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme, si dhe ndërhyrje të tjera që synojnë reduktimin e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e kushteve të banimit, përcjell Energy Monitor.

Projekti synon që deri në vitin 2028 të përfshijë deri në 280 familje, duke ndikuar në uljen e nevojave për energji dhe në përmirësimin e mirëqenies së familjeve përfituese.

Në kuadër të projektit, përfaqësues të Qeverisë së Danimarkës kanë vizituar familje përfituese në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut, përfshirë familjen Dragidella në Prishtinë dhe familjen Tatareviq në Mitrovicë të Jugut.

Projekti financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet në partneritet mes FKEE-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe UNDP-së në Kosovë.

Investimet në efiçiencën e energjisë në banesat e familjeve të cenueshme janë një nga masat që mund të ndihmojnë në uljen e shpenzimeve për energji, krahas përmirësimit të kushteve të jetesës.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com