KEDS po investon rreth 420 mijë euro në modernizimin e rrjetit të tensionit të mesëm në kuadër të projektit “MAXHUNAJ” në Komunën e Vushtrrisë, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.
Sipas KEDS-it, projekti parasheh zëvendësimin e shtyllave ekzistuese të tensionit të mesëm me 303 shtylla të reja prej betoni. Pjesa më e madhe e rrjetit do të jetë ajrore, ndërsa një segment do të ndërtohet nëntokësor.
Investimi përfshin gjithashtu ndërtimin e një shtëpize metalike për transformatorë dhe dy kthina të rrjetit, përcjell Energy Monitor.
Vlera e planifikuar e projektit është 419,573.66 euro, ndërsa deri tani janë realizuar punime në vlerë prej rreth 302,352.50 euro, ose rreth 72% e investimit të planifikuar.
KEDS thotë se investime të tilla synojnë modernizimin e infrastrukturës së shpërndarjes dhe krijimin e kushteve për një furnizim më të sigurt dhe më cilësor me energji elektrike për konsumatorët.



