Home / Lajme / Rajoni / Ambasadorja amerikane në Greqi përballet me pikëpyetje për marrëveshjet e gazit në Ballkan

Ambasadorja amerikane në Greqi përballet me pikëpyetje për marrëveshjet e gazit në Ballkan

Një investigim i The Wall Street Journal ka ngritur pikëpyetje mbi rolin e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, në promovimin e marrëveshjeve për gazin natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në Evropën Juglindore.

Sipas WSJ, Guilfoyle ka promovuar gjatë udhëtimeve të saj në rajon të ashtuquajturin Korridor Vertikal të Gazit, që synon të sjellë LNG amerikan përmes Greqisë drejt Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Ukrainës dhe vendeve të tjera të rajonit.

Në disa prej takimeve të saj me zyrtarë qeveritarë ka marrë pjesë edhe Christos Marafatsos, një lobist i regjistruar në SHBA që punon për kompaninë greke Aktor Group, njofton Energy Monitor.

Kompania është përfshirë së fundmi në sektorin e gazit përmes një sipërmarrjeje të përbashkët me kompaninë greke të energjisë DEPA.

WSJ raporton se prania e Marafatsosit në takimet diplomatike dhe promovimi i Aktor Group kanë ngritur pikëpyetje nëse përpjekjet amerikane për rritjen e eksporteve të LNG-së po ndërthuren me interesa të caktuara private.

Guilfoyle dhe përfaqësuesit e saj e kundërshtojnë këtë interpretim dhe thonë se angazhimi i saj synon avancimin e interesave amerikane, rritjen e shitjeve të LNG-së amerikane dhe uljen e varësisë së Evropës nga gazi rus.

Një prej marrëveshjeve të përmendura nga WSJ është ajo për Shqipërinë, ku një marrëveshje e raportuar prej rreth 6 miliardë dollarësh parashikon furnizimin me LNG amerikan për një periudhë 20-vjeçare, përcjell Energy Monitor.

Marrëveshjet e lidhura me Korridorin Vertikal po zhvillohen ndërkohë edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Në këtë kuadër, Kosova është përfshirë gjithashtu në diskutimet për zgjerimin e infrastrukturës rajonale të gazit.

SHBA-ja i ka bërë disa herë thirrje Kosovës të shqyrtojë mundësinë e përfshirjes në projektet rajonale të LNG-së.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com