Qeveria gjermane ka përgatitur një plan për uljen dhe kufizimin e çmimeve të karburanteve, në një kohë kur çmimet kanë arritur nivele të larta.
Sipas gazetarit Bahri Cani, plani përfshin dy masa konkrete njëra me efekt të menjëhershëm dhe tjetra me perspektivë afatgjatë.
Masa e parë parasheh uljen e taksës për karburantet me 14 centë për litër. Duke përfshirë edhe TVSH-në, kjo pritet të sjellë një ulje prej rreth 17 centësh për litër.
Kjo masë, e cila është aplikuar edhe gjatë muajve maj dhe qershor, pritet të hyjë sërish në fuqi më 1 tetor.
Ndërkohë, masa e dytë është një propozim i ri. Qeveria federale gjermane po diskuton me industrinë e naftës mundësinë e vendosjes së një çmimi tavan për karburantet.
Sipas planit, ky kufizim do të mund të zbatohej nga viti i ardhshëm, por deri tani nuk ka një marrëveshje konkrete mes qeverisë dhe industrisë.



