Tri kompani turke do të bashkëpunojnë në ndërtimin e një parku diellor prej 30 MWp, të kombinuar me sistem baterish për ruajtjen e energjisë, në Vojvodinë të Serbisë.
Fortis Energy dhe İnelso Energy Systems kanë nënshkruar marrëveshje për investimin në projektin prej 25.5 milionë eurosh, ndërsa Enkraft Energy do të jetë kontraktori për projektimin, furnizimin dhe ndërtimin (EPC), ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Projekti ka arritur fazën “ready-to-build” dhe ndodhet rreth 33 kilometra nga Beogradi. Leja e ndërtimit pritet të lëshohet brenda një muaji, pas së cilës pritet të nisë ndërtimi.
Parku pritet të prodhojë më shumë se 40 GWh energji elektrike në vit, e barabartë me konsumin e mbi 11 mijë familjeve, ndërsa parashikohet të shmangë rreth 19 mijë tonë emetime të CO₂ në vit, përcjell Energy Monitor.
Energjia do të shitet përmes kontratave afatgjata të blerjes së energjisë (PPA), por projekti do të marrë pjesë edhe në tregun e lirë të energjisë elektrike në Serbi.
Sistemi i baterive do të mundësojë ruajtjen e energjisë së prodhuar nga parku diellor dhe përdorimin e saj në periudhat me kërkesë më të lartë, duke e bërë prodhimin më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm.
Për Enkraft Energy, projekti shënon hyrjen në tregun e Evropës Juglindore si kompani e specializuar në ndërtimin e projekteve diellore dhe sistemeve të ruajtjes së energjisë.



