Kosovës i duhen rreth 4,000 profesionistë për tranzicionin energjetik
September 25, 2026
Kosovës i nevojiten rreth 4,000 profesionistë me aftësi të specializuara në sektorin e energjisë për të përballuar nevojat që sjell tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme.
Nevoja për kuadro të kualifikuara lidhet me rritjen e investimeve në parqe diellore e me erë, sistemet e vetëkonsumit, rrjetet elektrike dhe teknologjitë e reja të energjisë.
Për të adresuar këtë mungesë, Universiteti i Prishtinës dhe partnerët e projektit kanë nisur zhvillimin e Qendrës për Aftësi dhe Inovacion në Energji (CESI), e cila synon të krijojë programe të trajnimit profesional për sektorin e energjisë, përcjell Energy Monitor.
CESI është pjesë e përpjekjeve për të lidhur nevojat e tregut të punës me zhvillimin e sektorit energjetik, në një kohë kur Kosova po shton kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe po investon në modernizimin e rrjetit.
Kërkesa është veçanërisht e madhe për profile teknike, përfshirë instalimin, mirëmbajtjen dhe operimin e pajisjeve dhe sistemeve të reja energjetike.
Me zgjerimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme dhe infrastrukturës së energjisë, nevoja për punëtorë dhe profesionistë të trajnuar pritet të rritet më tej.