Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht fazën e tretë të projektit për revitalizimin e hidrocentraleve shtetërore, me një investim prej rreth 46 milionë eurosh që synon rritjen e prodhimit vendas të energjisë, modernizimin e pajisjeve dhe sigurimin e të paktën 5 milionë eurove të ardhura shtesë në vit.
Fillimi simbolik i projektit u shënua në Muzeun e Qytetit të Shkupit, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski.
Sipas kompanisë shtetërore AD ESM, 35 milionë euro financohen përmes një kredie nga banka gjermane për zhvillim KfW, ndërsa 10.7 milionë euro janë grant nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), përcjell Energy Monitor.
Në kuadër të projektit do të modernizohen gjashtë hidrocentrale të mëdha: Vrutok, Vrben, Raven, Tikvesh, Shpilje dhe Globochica, të cilat bëjnë pjesë në sistemet hidroenergjetike Mavrovë, Crn Drim dhe Tikvesh.
13.5 MW kapacitet shtesë dhe 50 GWh më shumë energji në vit
AD ESM njofton se zëvendësimi i pajisjeve të vjetruara do të ulë ndërprerjet e punës, do të zgjasë jetën e centraleve dhe do të përmirësojë sigurinë operative.
Pas përfundimit të projektit, kapaciteti i instaluar pritet të rritet me 13.5 MW, ndërsa prodhimi vjetor do të shtohet me rreth 50 GWh energji elektrike.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të AD ESM, Lazo Uzunçev, rritja e prodhimit dhe zgjerimi i shërbimeve të balancimit të sistemit do t’i sjellin kompanisë të paktën 5 milionë euro të ardhura shtesë çdo vit.
BE dhe Gjermania mbështesin modernizimin
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, tha se vendi ka potencial të madh hidroenergjetik, por theksoi se shfrytëzimi i tij kërkon modernizimin e infrastrukturës ekzistuese.
Ndërkohë, ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler, deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet Gjermanisë, KfW-së dhe Bashkimit Evropian synon të forcojë sigurinë energjetike të vendit dhe të mbështesë objektivat klimatike.
Projekti është pjesë e paketës së mbështetjes energjetike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e cila financohet përmes WBIF dhe synon përshpejtimin e tranzicionit energjetik në rajon.



