Home / Lajme / Kosova / Gratë mbeten pakicë në sektorin e energjisë në Kosovës, por pjesëmarrja po rritet

Gratë mbeten pakicë në sektorin e energjisë në Kosovës, por pjesëmarrja po rritet

Gratë mbeten të nënpërfaqësuara në sektorin energjetik të Kosovës, veçanërisht në profesionet teknike dhe operative, edhe pse pjesëmarrja e tyre është rritur vitet e fundit dhe vendi ka vendosur objektiv që deri në vitin 2031 të arrijë në të paktën 25 për qind.

Çështja është vënë në pah në një raport të ri të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i cili analizon ndikimin social dhe në tregun e punës të tranzicionit energjetik në Ballkanin Perëndimor. Raporti, i publikuar më 22 shtator, i kushton vëmendje të veçantë grave si një prej grupeve që vazhdon të jetë e nënpërfaqësuar në sektorin e energjisë, raporton Energy Monitor.

Të dhënat e përdorura në analizat rajonale tregojnë se gratë përbëjnë rreth 17.6 për qind të fuqisë punëtore në kompanitë e sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrja është edhe më e ulët në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në disa vende, ndërsa për Kosovën është vlerësuar rreth 10 për qind.

Kosova megjithatë ka shënuar rritje. Sipas të dhënave të paraqitura nga Ministria e Ekonomisë për Komunitetin e Energjisë, pjesëmarrja e grave në sektorin energjetik është rritur nga 9 për qind në vitin 2021 në 20 për qind në vitin 2025. Synimi i vendosur nga Kosova është që kjo pjesëmarrje të arrijë në 25 për qind deri në vitin 2031.

Të dhënat e publikuara më herët nga Energy Monitor tregojnë se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), gratë përbënin vetëm 5.5 për qind të fuqisë punëtore. Nga 3,966 të punësuar, 217 janë gra. Në KOSTT, pjesëmarrja e grave është 18 për qind, ndërsa në KEDS 13 për qind.

Situata është ndryshe në disa institucione dhe kompani të tjera. Në Zyrën e Rregullatorit për Energji gratë përbëjnë 39 për qind të stafit, ndërsa në Departamentin për Energji të Ministrisë së Ekonomisë 63 për qind. Në KESCO, gratë përbëjnë 58 për qind të fuqisë punëtore.

Dallimi është i rëndësishëm sepse tregon se hendeku gjinor në energji nuk është vetëm çështje e numrit të përgjithshëm të grave të punësuara. Gratë janë shumë më pak të pranishme në punët teknike, operative dhe në pjesë të prodhimit e infrastrukturës së energjisë, njofton Energy Monitor.

Edhe arsimi profesional tregon një hendek të ngjashëm. Sipas analizës së OECD-së për dimensionin gjinor të reformave në sektorin energjetik, gratë përbënin vetëm 12 për qind të pjesëmarrësve në programet e instalimeve elektrike në Kosovë. OECD vlerëson se në rajon një pjesë e hendekut lidhet me përfaqësimin e ulët të grave në profesionet teknike dhe me mospërputhjen mes programeve të arsimit dhe aftësive që kërkon sektori në zhvillim.

Kjo merr rëndësi të veçantë me zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme. Investimet në energjinë diellore dhe të erës, bateritë, rrjetet dhe efiçiencën energjetike do të krijojnë kërkesë për inxhinierë, teknikë, instalues, specialistë të rrjetit dhe profesionistë të teknologjive të reja.

Për këtë arsye, raporti i RCC-së e lidh përfshirjen e grave jo vetëm me barazinë në punësim, por edhe me aftësinë e rajonit për të siguruar fuqinë punëtore që i nevojitet tranzicionit energjetik. Dokumenti rekomandon masa për aftësim dhe rikualifikim, arsim profesional më të përshtatur me kërkesat e tregut dhe përfaqësim më të madh të grave dhe grupeve të tjera të nënpërfaqësuara.

Për Kosovën, sfida është veçanërisht e dukshme në pjesën teknike të sektorit. Ndërsa pjesëmarrja e grave në të gjithë sektorin është rritur dhe tani raportohet në 20 për qind, shifrat e kompanive dhe institucioneve tregojnë se gratë ende janë shumë më pak të pranishme në kompanitë me veprimtari intensive teknike, përcjell Energy Monitor.

Të dhënat për bizneset tregojnë gjithashtu një hendek në sipërmarrje. Nga 890 biznese të regjistruara në kategorinë e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, vetëm 85 kanë gra pronare, ose rreth 10 për qind.

Në të njëjtën kohë, përvoja e programeve të fundit tregon se pjesëmarrja e grave mund të rritet kur krijohen mundësi të drejtpërdrejta. Në vitin 2024, kur 149 punonjës të rinj nisën punën në KEK, 10 prej tyre ishin gra. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha atëherë se përfshirja e tyre përbënte investim për të ardhmen e korporatës dhe shprehu synimin që numri i grave të vazhdonte të rritej.

Tranzicioni energjetik kështu po krijon një mundësi të re, por edhe një sfidë. Nëse vendet e reja të punës në energjinë diellore, të erës, ruajtjen e energjisë dhe modernizimin e rrjetit do të mbushen kryesisht nga e njëjta strukturë e fuqisë punëtore, hendeku ekzistues mund të vazhdojë edhe në ekonominë e re të energjisë.

Për Kosovën, objektivi prej 25 për qind deri në vitin 2031 nënkupton se rritja e pjesëmarrjes së grave duhet të vazhdojë jo vetëm në administratë dhe institucione, por edhe në profesionet teknike, kompanitë energjetike dhe vendet e reja të punës që do të krijohen nga tranzicioni.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com