Home / Lajme / Ndërkombëtare / Dokumenti rus që alarmoi Evropën, Moska përgatitet të godasë zemrën energjetike të Ukrainës me 1,000 raketa e dronë

Dokumenti rus që alarmoi Evropën, Moska përgatitet të godasë zemrën energjetike të Ukrainës me 1,000 raketa e dronë

Ukraina u ka treguar partnerëve të saj evropianë ato që Kievi i pretendon se janë plane të përgjuara ruse për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje në qytetet kryesore gjatë dimrit të ardhshëm. Zyrtarët ukrainas i kanë paralajmëruar qytetarët prej muajsh të përgatiten për një dimër të vështirë. Ata thonë se Rusia do të përdorë armë gjithnjë e më të fuqishme për të dëmtuar rrjetin elektrik. 

Të mërkurën, para agimit, raketa dhe dronë goditën një termocentral dhe objekte të tjera energjetike, ndërsa disa lagje të Kievit mbetën pa energji elektrike. Sipas zyrtarëve ukrainas, sulmi shënoi fillimin e një fushate të re ruse që synon t’i hedhë qytetet në të ftohtë dhe errësirë, duke dobësuar moralin e popullsisë dhe përpjekjet e luftës.

 Shkalla e ambicieve ruse mund të shihet në një dokument që ministri ukrainas i Energjisë, Denis Shmyhal, ua tregoi partnerëve evropianë në Paris. Sipas dy burimeve, ai e përshkroi dokumentin si një plan të kapur rus për rrëzimin sistematik të sistemit energjetik të Ukrainës, raportoi The New York Times.

Llogaritja e ftohtë e terroristëve

Plani përshkruan një fushatë sulmi që do të përdorte deri në 1,000 raketa, dronë dhe bomba kundër nënstacioneve, hidrocentraleve dhe termocentraleve. Dokumenti parashikon edhe goditjen e pajisjeve që lidhin tre centralet bërthamore ende në funksion me rrjetin elektrik, me synim ndalimin e tyre. Kievi, Kharkivi dhe Odesa janë veçuar si objektiva kryesore, me plane për të ulur furnizimin me energji elektrike me 90 për qind dhe furnizimin me ngrohje deri në 90 për qind. NYT vëren se nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentit, i cili daton në gusht dhe është shkruar në rusisht.

 Megjithatë, Vladimir Putin ka deklaruar publikisht se Rusia do të zhvillojë një fushatë të gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës këtë dimër. Shmyhal tha në median ukrainase se partnerët ishin befasuar nga ajo që e përshkroi si llogaritje për shkatërrimin e sektorit energjetik. Nëse Rusia do ta zbatojë strategjinë dhe nëse ajo do të ketë sukses, mbetet për t’u parë. Ndërkohë, Ukraina është përgatitur për dimrin duke ndërtuar struktura mbrojtëse mbi objektet kryesore energjetike. Qytetarët janë furnizuar me bateri dhe ngrohës të vegjël me gaz.

Vrapimi i një maratone me një mushkëri

Autoritetet ukrainase kanë shpenzuar qindra miliona dollarë për riparimin e termocentraleve dhe nënstacioneve, si dhe për vendosjen e impianteve më të vogla energjetike, si turbinat me gaz. Ukraina ka investuar gjithashtu në forcimin e rrjetit për të përballuar kërkesën gjatë motit të ftohtë dhe për të ridrejtuar energjinë elektrike kur sulmet shkatërrojnë linjat. Megjithatë, ekspertët e energjisë paralajmërojnë se këto masa mund ta zbusin ndikimin, por nuk mund ta neutralizojnë atë.

 Olena Pavlenko, drejtuese e DiXi Group, tha se katër dimra lufte e kanë dobësuar aq shumë rrjetin elektrik saqë një dimër tjetër do të ishte si “të vraposh një maratonë vetëm me një mushkëri”. Dimrin e kaluar, banorët e Kievit mbeteshin rregullisht pa energji elektrike për 12 ose më shumë orë në ditë, sipas të dhënave të DTEK. Për të shmangur përsëritjen e këtij skenari, ekipet e riparimit po punojnë intensivisht. Një ekip i DTEK zëvendësoi së fundmi një transformator të vjetër pranë Kievit. “Ka pajisje të vjetra që thjesht nuk mund ta përballojnë më ngarkesën”, tha udhëheqësi i ekipit, Eduard Kaškov.

Tre faza të fushatës

Në gusht, Shmyhal tha se Ukraina kishte rreth 15 gigavat kapacitet të disponueshëm dhe priste që ai të rritej në më shumë se 21 gigavat deri në fund të vitit. Por sulmet mund të zhbëjnë muaj të tërë riparimesh. Maria Caturian, analiste e energjisë në Ukraine Facility Platform, tha se vetëm disa sulme mund të jenë të mjaftueshme për të shkatërruar pesë gigavat kapacitet të rivendosur.

Plani rus parashikon një sulm trefazor. Në fazën e parë, do të çaktivizoheshin nënstacionet pranë kufijve perëndimorë, përmes të cilave Ukraina importon energji elektrike nga Evropa. Në fazën e dytë, do të shkatërroheshin hidrocentralet, ndërsa në të tretën, tre centrale bërthamore ende në funksion do të detyroheshin të ndalonin punën. Qëllimi i sulmit, thuhet në dokument, është të heqë gati 15 gigavat kapacitet gjenerues, afërsisht aq sa kishte në dispozicion Ukraina në fund të verës.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com