Home / Lajme / Ndërkombëtare / Rezolv zgjeron projektin VIFOR në Rumani me erë, diell dhe bateri

Rezolv zgjeron projektin VIFOR në Rumani me erë, diell dhe bateri

Kompania Rezolv Energy ka vënë në punë fazën e parë të parkut të erës VIFOR në Rumani, me kapacitet prej 192 MW, ndërsa planifikon ta zgjerojë projektin me bateri për ruajtjen e energjisë dhe kapacitete të reja diellore.

Projekti ndodhet në qarkun Buzëu dhe faza e parë përfshin 30 turbina Vestas, me kapacitet prej 6.4 MW secila. Sipas Rezolv Energy, VIFOR është parku më i madh i ri i erës i vënë në punë në Rumani në më shumë se një dekadë.

Projekti do të zgjerohet më tej gjatë vitit 2027, kur pritet të shtohen edhe 269 MW, duke e çuar kapacitetin total të parkut në 461 MW.

Por Rezolv synon që VIFOR të shkojë përtej prodhimit të energjisë nga era. Kompania po planifikon instalimin e një sistemi të madh baterish dhe po shqyrton edhe ndërtimin e kapaciteteve diellore, përcjell Energy Monitor.

Kombinimi i erës, diellit dhe baterive do t’i mundësonte projektit të ruante energjinë në periudhat kur prodhimi është i lartë dhe ta kthente atë në rrjet kur kërkesa rritet ose prodhimi nga burimet e ripërtëritshme bie.

Ky model po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm në Evropë, pasi rritja e prodhimit nga era dhe dielli kërkon më shumë kapacitete për ruajtjen dhe balancimin e energjisë elektrike.

VIFOR është një nga projektet kryesore të Rezolv Energy në Rumani. Kompania, e mbështetur nga investitorët Actis dhe Mubadala, po zhvillon një portofol të madh të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Rumani dhe Bullgari.

Me përfundimin e fazës së dytë, VIFOR do të ketë 461 MW kapacitet të erës, ndërsa shtimi i baterive dhe energjisë diellore do ta kthejë projektin në një kompleks më fleksibël të prodhimit dhe ruajtjes së energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com