Ndërmarrja publike TERMOKOS pritet të përfundojë në gjysmën e vitit 2027 projektin për vendosjen e matësve të energjisë termike te të gjithë konsumatorët e ngrohjes në Prishtinë. Pas përfundimit të instalimit, Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) do të angazhohet për verifikimin e tyre, me qëllim të garantimit të saktësisë së matjeve dhe faturimit të drejtë.
Për këtë çështje kanë diskutuar përfaqësues të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe TERMOKOS-it, në një takim të përbashkët ku është trajtuar zbatimi i legjislacionit për metrologjinë dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve.
Drejtoresha e AMK-së, Sebahate Bushrani, dhe këshilltari i kabinetit të ministres, Ali Tafarshiku, kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Metrologjinë dhe rregulloreve përkatëse për mjetet matëse. Vëmendje e veçantë i është kushtuar verifikimit periodik të matësve të energjisë termike dhe respektimit të afateve ligjore.
Nga TERMOKOS-i, drejtori i Furnizimit, Kastriot Blaca, ka prezantuar projektin që po zbatohet përmes fondeve të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Projekti parasheh instalimin e matësve të energjisë termike për të gjithë konsumatorët e ngrohjes në kryeqytet dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2027, përcjell Energy Monitor.
Sipas informatave të prezantuara në takim, pas përfundimit të projektit, TERMOKOS-i do t’i përcjellë te AMK-ja të dhënat për të gjithë matësit e instaluar. Agjencia më pas do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për verifikimin e tyre në laboratorë profesionalë të autorizuar, në përputhje me kërkesat dhe afatet ligjore.
Verifikimi i matësve është i rëndësishëm për të siguruar që sasia e energjisë termike e regjistruar të jetë e saktë dhe që konsumatorët të faturohen në bazë të matjeve të besueshme. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me mbrojtjen e tyre nga faturimi i pasaktë dhe praktikat e padrejta.
Takimi mes MINTI-t dhe TERMOKOS-it është pjesë e përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e rregullave në fushën e metrologjisë.



