Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj kritikave dhe pretendimeve për vonesat në rikthimin në funksion të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, duke sqaruar se projekti për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx menaxhohet nga Bashkimi Evropian, ndërsa modernizimi i turbinave është investim i veçantë i vetë korporatës.
Në një reagim publik, KEK-u ka kundërshtuar përfshirjen e investimeve në debatet politike, duke thënë se në opinion janë prezantuar shifra milionëshe, përllogaritje hipotetike dhe pretendime që, sipas korporatës, nuk mbështeten në të dhëna të verifikuara.
Sa i përket projektit për reduktimin e emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (ESP/DeNOx), KEK-u sqaron se ai financohet përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian, i cili është gjithashtu autoriteti kontraktues dhe përgjegjës për menaxhimin e kontratës. KEK-u është përfitues i investimit, përcjell Energy Monitor.
Sipas korporatës, kontrata është lidhur në fund të vitit 2019, ndërsa realizimi i projektit është përballur me vonesa për shkak të pandemisë COVID-19, problemeve me projektin e dilatimeve dhe falimentimit të njërit prej anëtarëve të konsorciumit kontraktues, si dhe rrethanave të tjera.
Punimet në njësinë B1 kanë filluar më 10 prill 2026, ndërsa afati kontraktual për ndezjen e kaldajës për prodhimin e avullit është caktuar më 25 nëntor 2026.
KEK-u thekson se njësia B1 ishte ndalur më 4 prill, gjashtë ditë para fillimit të planifikuar të punimeve, për t’i mundësuar korporatës pastrimin e pajisjeve dhe përgatitjen e vendpunishtes.
Ndërkaq, për modernizimin e turbinave, korporata thotë se punimet dhe komisionimi i ftohtë kanë përfunduar më 2 nëntor 2026. Testimet përfundimtare dhe komisionimi në kushte operimi, sipas saj, janë të ndërlidhura me përfundimin e projektit mjedisor dhe rikthimin e njësisë në funksion.
Korporata ka theksuar se këto janë dy investime të ndara, me burime të ndryshme financimi dhe përgjegjësi të veçanta, të cilat nuk duhet të trajtohen si një projekt i vetëm, transmeton Energy Monitor.
Në reagim, KEK-u ka bërë të ditur gjithashtu se është duke realizuar një program modernizimi teknologjik me investime të planifikuara prej mbi 500 milionë eurosh. Sipas korporatës, këto investime synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese, përmirësimin e sigurisë dhe besueshmërisë së operimit, zgjatjen e jetëgjatësisë së termocentraleve dhe përmirësimin e performancës mjedisore.
KEK-u ka rikujtuar se roli i tij është prodhimi i energjisë elektrike dhe se që nga viti 2013 nuk është më operator i rrjetit të shpërndarjes. Për këtë arsye, sipas korporatës, ndërprerjet që shkaktohen nga defektet ose punimet në rrjetin e shpërndarjes nuk janë përgjegjësi e saj.
Reagimi vjen në një kohë kur vonesat në rikthimin e B1 kanë ngritur shqetësime për kapacitetet vendore të prodhimit dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë dimrit. Blloku vazhdon të jetë jashtë operimit, ndërsa data e përfundimit të punimeve dhe rikthimit të plotë në prodhim mbetet çështje kyçe për furnizimin gjatë muajve të ardhshëm.



