Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen për situatën në sektorin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar se problemet me furnizimin do të vazhdojnë edhe për së paku pesë vjet, në mungesë të investimeve në kapacitete të reja prodhuese.
Reagimi i tij vjen pas miratimit të masave emergjente për energjinë nga Kuvendi i Kosovës, në një kohë kur vendi po përballet me pasiguri në furnizim dhe varësi të lartë nga importi.
Sipas Hotit, në vend të masave emergjente, institucionet do të duhej të shqyrtonin mundësi për financimin e kapaciteteve të reja prodhuese, përfshirë kreditë garantuese për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe realizimin e projekteve përmes partneriteteve.
Ai ka kritikuar mungesën e projekteve konkrete për ndërtimin e termocentraleve të reja, duke vlerësuar se pa investime të tilla Kosova nuk do të arrijë të ndryshojë situatën energjetike në vitet e ardhshme.
Hoti ka ngritur gjithashtu çështjen e tregtisë së qymyrit me Maqedoninë e Veriut dhe importit të energjisë elektrike nga ky shtet. Sipas pretendimeve të tij, energjia e importuar është blerë me çmime deri në dhjetëfish më të larta sesa kostoja e prodhimit në KEK.
Deputeti i LDK-së ka kritikuar edhe anulimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re” dhe projektit të gazit, duke pretenduar se këto vendime e kanë lënë Kosovën pa alternativa të rëndësishme për furnizim.
Sipas tij, nëse projekti “Kosova e Re” do të ishte realizuar, vendi sot do të mund të furnizohej nga ky termocentral me çmim fiks prej 80 eurosh për megavat-orë (MWh). Ndërkaq, projekti i gazit, sipas Hotit, tashmë do të mund të ishte në fazën përfundimtare të realizimit.
Hoti ka paralajmëruar se mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese do të vazhdojë të rëndojë edhe sektorin privat. Sipas tij, bizneset po përballen me kosto më të larta të energjisë elektrike, çka ndikon në konkurrueshmërinë e tyre.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masa emergjente 60-ditore për sektorin e energjisë, të cilat përfshijnë shfrytëzimin e hidrocentralit të Ujmanit, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare për import.



