Organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime lidhur me procesin e vazhdimit të lejeve mjedisore për hidrocentralet në Lumbardhin e Deçanit, duke kërkuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës transparencë mbi vendimmarrjen dhe zbatim të plotë të legjislacionit për mbrojtjen e lumenjve.
Aktivistja Shpresa Loshaj tha se lejet mjedisore janë miratuar nën udhëheqjen e ministres Fitore Pacolli, ndërsa pyeti publikisht nëse ministria është në dijeni të vendimeve të marra. Sipas saj, organizatat e shoqërisë civile prej një dekade kërkojnë që në Lumbardh të garantohet prurja minimale ekologjike e ujit, siç parashihet me legjislacionin në fuqi.
“Si shpjegohet ky vendim, kur ju vazhdimisht keni deklaruar se ligji zbatohet pa kompromis? Per me teper, kur ishit ne opozite, per te njejten ceshtje patet thirrur seance urgjente ne parlament. Qytetaret meritojne transparence dhe nje shpjegim te qarte publik”, ka pyetur aktivistja Loshaj ministren Pacolli në reagimin e saj publik, njofton Energy Monitor.
Ndërkohë, para debatit publik të organizuar në Deçan për vazhdimin e lejeve mjedisore, Loshaj kishte njoftuar se organizatat Pishtarët, EcoZ, Gjethi dhe Riverwatch kishin dorëzuar analiza teknike dhe juridike mbi aplikimet e kompanisë Kelkos për vazhdimin e lejeve mjedisore.
“Deri tash, se paku 5 organizata kemi dorëzuar prova, analiza teknike dhe ligjore mbi aplikimin e Kelkos, qe mendoj do te shpaloset edhe neser. Mund të dëgjoni shumë shifra, grafe dhe prezantime qe te bejne te mendosh se Lumbardhi është lumi më i mbrojtur në botë. Por në analizën tonë nje gje doli qartë: askund Kelkosi nuk ka deshmuar se si po i zbaton ligjet-ligje që ekzistojnë për ta mbrojtur Lumbardhin sot dhe për brezat që vijnë”, ka shkruar Loshaj.



