Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Miratohen dy licencat e para për projekte të ruajtjes së energjisë me bateri

Shqipëri: Miratohen dy licencat e para për projekte të ruajtjes së energjisë me bateri

Depozitimi i energjisë elektrike po hyn zyrtarisht në sektorin e prodhimit nga burimet diellore në Shqipëri. Enti Rregullator i Energjisë në këtë vend ka miratuar modifikimin e licencave për dy centrale fotovoltaike, duke u dhënë dritën jeshile për integrimin e sistemeve të depozitimit të energjisë, ndërsa ka nisur procedurat edhe për dy projekte të tjera.

Bordi i ERE-s ka miratuar modifikimin e licencave të shoqërive SPV Blue 1 dhe SPV Blue 2, të cilat operojnë centrale fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 50 MW secili në zonën e Sheq-Marinës, Fier. Ndryshimi i licencës u mundëson këtyre shoqërive të shtojnë sisteme akumulimi/depozitimi të energjisë, pa ndryshuar kapacitetin e instaluar të centraleve.

Po ashtu, ERE ka vendosur të fillojë procedurat për shqyrtimin e kërkesave të shoqërive Sunny Side Energy dhe GreenNat Solar Park Ballsh, të cilat synojnë të modifikojnë licencat e tyre për centrale fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 100 MW secila, duke integruar gjithashtu sisteme të depozitimit të energjisë.

Me këto vendime, marrin formë konkrete hapat e parë drejt integrimit të baterive të magazinimit në projektet e mëdha fotovoltaike në vendin tonë. Depozitimi i energjisë konsiderohet një element kyç për rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik, pasi mundëson ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë orëve me rrezatim të lartë diellor dhe përdorimin e saj në momentet kur kërkesa është më e lartë ose prodhimi nga burimet e rinovueshme është i ulët.

/SCAN

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com