Home / Lajme / Kosova / Ambasadori suedez: Situata energjetike në Kosovë po pengon zhvillimin ekonomik

Ambasadori suedez: Situata energjetike në Kosovë po pengon zhvillimin ekonomik

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar se vendimi për projektin e gazit amerikan i takon Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se prioritet duhet të jetë garantimi i një furnizimi të qëndrueshëm me energji për qytetarët dhe ekonominë.

Në një deklaratë për Ekonomia Online, Westerlund tha se nuk dëshiron të vlerësojë se cila alternativë energjetike është më e përshtatshme, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës dhe e negociatave të tyre me partnerët ndërkombëtarë.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët dhe ekonomia të kenë një furnizim të qëndrueshëm me energji. Ka mënyra të ndryshme për ta realizuar këtë dhe unë nuk do të komentoj se cila është më e mira. Këtë do t’ia lë qeverisë dhe negociatave të saj me aktorët ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai.

Ambasadori suedez shtoi se situata energjetike në Kosovë ka zgjatur prej kohësh dhe po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik.

“Është për të ardhur keq që kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë. Ajo pengon promovimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, prandaj përbën një sfidë”, u shpreh Westerlund.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, Westerlund vlerësoi progresin e bërë përmes Dhomës Nordike të Tregtisë, e cila tashmë numëron rreth 25 anëtarë. Ai theksoi se marrëdhëniet tregtare dhe politike mes dy vendeve janë shumë të mira, ndërsa rolin e diasporës kosovare në Suedi e cilësoi të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com