Prishtina këtë javë u bë qendër e diskutimeve strategjike për të ardhmen energjetike të rajonit, teksa u mblodh Këshilli Informal Ministror i Komunitetit të Energjisë, organizuar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës. Takimi mblodhi ministrat e energjisë të vendeve anëtare dhe partnerët evropianë, me fokus në përshpejtimin e integrimit të tregut energjetik me Bashkimin Evropian, forcimin e sigurisë së furnizimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se Kosova, si vend që mban presidencën e Komunitetit të Energjisë, ka marrë përsipër një rol aktiv në shtyrjen përpara të reformave që synojnë një treg më të integruar dhe më të qëndrueshëm energjetik në rajon.
Ajo nënvizoi se sfidat aktuale të sektorit energjetik kërkojnë zgjidhje të përbashkëta rajonale, duke theksuar se siguria e furnizimit, përballueshmëria e çmimeve dhe integrimi me BE-në janë prioritete të pandashme.
Në fjalën e saj, Rizvanolli ngriti gjithashtu çështjen e moszbatimit të vendimeve të mëparshme të Komunitetit të Energjisë nga Serbia, duke theksuar se mosvënia në dispozicion e kapaciteteve ndërkufitare po ndikon në funksionimin e tregut dhe po krijon ngarkesa për sistemin energjetik të Kosovës dhe rajonit.
Ajo kërkoi veprime të menjëhershme për zbatimin e obligimeve të dakorduara, duke theksuar nevojën për komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet operatorëve të transmetimit, njofton Energy Monitor.
Përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Yolanda Garcia Mezquita, e cilësoi integrimin energjetik si një prioritet strategjik të Bashkimit Evropian, duke theksuar se siguria energjetike e Evropës varet nga një sistem i ndërlidhur dhe i bazuar në rregulla të përbashkëta. Ajo theksoi rëndësinë e afrimit të vendeve të Komunitetit të Energjisë me tregun e brendshëm të BE-së si pjesë e procesit më të gjerë të zgjerimit.
Në diskutime u trajtuan edhe çështjet e harmonizimit rregullator në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit, me synimin për krijimin e një tregu më të parashikueshëm dhe më të integruar në nivel rajonal. U theksua gjithashtu potenciali i madh i rajonit për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe rëndësia e elektrifikimit të sektorëve kyç si ngrohja dhe transporti, si pjesë e tranzicionit energjetik.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, vlerësoi progresin e rajonit dhe theksoi se bashkëpunimi i përshpejtuar në sektorët e energjisë është thelbësor për ndërtimin e ekonomive më të qëndrueshme dhe të bazuara në burime vendore.
Takimi në Prishtinë u vlerësua si një moment i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e integrimit energjetik me Bashkimin Evropian, duke vendosur Kosovën në qendër të diskutimeve për të ardhmen energjetike të rajonit.



