Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar një financim deri në 4 milionë euro për mbështetjen e sektorit rezidencial në Mal të Zi, me fokus në përmirësimin e efiçiencës energjetike dhe nxitjen e investimeve të gjelbra në banesa dhe shtëpi private.
Financimi është dhënë përmes Hipotekarna Banka-s, në kuadër të programit WB GEFF III (Western Balkans Green Economy Financing Facility), i cili synon të lehtësojë qasjen në kredi për investime që reduktojnë konsumin e energjisë dhe emetimet e gazrave serrë.
Përmes këtij instrumenti, qytetarët dhe ekonomitë familjare në Mal të Zi do të kenë mundësi të financojnë masa si izolimi i ndërtesave, përmirësimi i sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes, si dhe instalimi i teknologjive të energjisë së ripërtëritshme në shtëpitë e tyre.
Programi është pjesë e strategjisë më të gjerë të BERZH-it për të mbështetur tranzicionin e gjelbër në Ballkanin Perëndimor, përmes bashkëpunimit me institucione financiare lokale dhe rritjes së kreditimit për projekte të qëndrueshme energjetike.
Sipas BERZH-it, këto investime jo vetëm që ulin konsumin e energjisë dhe kostot për familjet, por gjithashtu përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe rrisin qëndrueshmërinë energjetike në nivel vendi.
BERZH mbetet një nga investitorët kryesorë institucionalë në rajon, me fokus në energjinë e ripërtëritshme, eficiencën energjetike dhe zhvillimin e infrastrukturës së qëndrueshme.



