Maqedonia e Veriut është afër marrjes së një vendimi strategjik për ndërtimin e hidrocentralit akumulues reverzibil në Qebren, një nga projektet më të mëdha energjetike në këtë vend, i cili mund të realizohet tashmë pa partner privat, përmes vetëfinancimit.
Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, qeveria po shqyrton seriozisht opsionin që projekti të zhvillohet nga shteti përmes kompanisë publike Elektrani na Severna Makedonija (ESM), pas dështimit të disa tentativave për partneritet publik-privat gjatë viteve të fundit, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Projekti Qebren ka një histori të gjatë zhvillimi që daton nga vitet ’60 dhe është konsideruar vazhdimisht si një nga investimet më të rëndësishme për stabilitetin energjetik të vendit dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme në sistemin elektrik.
Vlera e investimit vlerësohet në rreth 1.5 miliardë euro, duke e bërë atë një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në historinë energjetike të Maqedonisë së Veriut. Kapaciteti i planifikuar varion nga 333 deri në 458 megavat, ndërsa prodhimi vjetor pritet të arrijë deri në 1 deri në 1.2 teravat-orë energji elektrike, në varësi të kushteve hidrologjike dhe mënyrës së operimit, përcjell Energy Monitor.
Autoritetet në Shkup theksojnë se projekti ka rëndësi të veçantë për stabilitetin e sistemit energjetik, pasi hidrocentralet akumuluese reverzibile luajnë rol kyç në balancimin e prodhimit nga burimet e ripërtëritshme, veçanërisht energjia diellore dhe ajo e erës.
Pas disa raundeve të dështuara tenderimi dhe anulimit të marrëveshjeve me konsorciume të huaja, qeveria po vlerëson se ndërtimi i projektit në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetërore mund të jetë opsioni më i shpejtë dhe më i zbatueshëm për realizimin e tij.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas analizave financiare dhe konsultimeve brenda kompanisë shtetërore të energjisë, duke përcaktuar nëse Maqedonia e Veriut do të hyjë vetë në një nga projektet më komplekse të infrastrukturës energjetike në rajon.



