Kuba është zhytur sërish në errësirë totale, pasi rrjeti kombëtar i energjisë elektrike pësoi një tjetër kolaps. Ky është ndërprerja e katërt e plotë e furnizimit me energji në më pak se dy muaj, ndërsa vendi përballet me një krizë të thellë energjetike.
Situata është përkeqësuar pas masave të fundit të administratës amerikane, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me naftë të ishullit.
Sipas autoriteteve kubane, mungesa e karburantit ka vështirësuar funksionimin e sistemit energjetik dhe ka shtuar presionin mbi rrjetin elektrik.
Në javët e fundit, shumë zona të Havanës kanë mbetur pa energji për më shumë se 30 orë. Ndërprerjet kanë shkaktuar probleme edhe në furnizimin me ujë, pasi mungesa e energjisë ka nxjerrë jashtë funksionit pompat që furnizojnë banorët.
Kriza është rënduar edhe më tej pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë. Pas operacionit ushtarak amerikan, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Kuba nuk do të marrë më naftë apo mbështetje financiare nga Venezuela. Administrata amerikane vendosi gjithashtu tarifa shtesë për vendet që furnizojnë Kubën me naftë.
Autoritetet kubane po përballen me vështirësi në rikthimin e plotë të furnizimit me energji, ndërsa vendi vazhdon të përjetojë një nga krizat më të rënda energjetike të viteve të fundit.



