Home / Lajme / Tjera / Lulzim Syla: Kriza e ujit në Evropë tregon rëndësinë e diversifikimit të burimeve energjetike

Lulzim Syla: Kriza e ujit në Evropë tregon rëndësinë e diversifikimit të burimeve energjetike

Eksperti i energjisë dhe përfaqësuesi i Elen Energy, Lulzim Syla, ka theksuar rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë, duke marrë si shembull situatën në Evropën Qendrore, ku nivelet e ulëta të ujit në Danub kanë ndikuar njëkohësisht në disa burime të prodhimit të energjisë elektrike.

Sipas Sylës, mungesa e ujit ka prekur funksionimin e hidrocentraleve, termocentraleve dhe centraleve bërthamore, duke treguar se edhe burimet që tradicionalisht konsiderohen të qëndrueshme kanë varësi nga faktorët klimatikë.

“Një problem i vetëm i lidhur me klimën po ndikon njëkohësisht në tri burime të ndryshme të prodhimit të energjisë elektrike”, ka shkruar Syla, duke iu referuar kufizimeve në Centralin Bërthamor Paks në Hungari, uljes së prodhimit në hidrocentralet Gjerdap 1 dhe Gjerdap 2 në Serbi, si dhe ndikimit në funksionimin e disa njësive termike për shkak të mungesës së ujit për ftohje.

Ai ka theksuar se kjo situatë tregon se siguria energjetike nuk mund të mbështetet vetëm në një teknologji të vetme të prodhimit, përcjell Energy Monitor.

“Mesazhi nuk është se Evropa duhet të heqë dorë nga energjia bërthamore, hidrocentralet apo termocentralet. Mesazhi është se asnjë teknologji e vetme nuk mund të garantojë e vetme sigurinë energjetike”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij, sistemet energjetike të së ardhmes duhet të kombinojnë burime të ndryshme të prodhimit, kapacitete të ruajtjes së energjisë, rrjete më fleksibile dhe interkoneksione më të forta ndërkufitare.

Ai ka vlerësuar se zhvillimi i sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) do të ketë rol gjithnjë e më të madh, veçanërisht me rritjen e energjisë diellore dhe të erës, prodhimi i të cilave ndryshon në varësi të kushteve natyrore.

Për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, Syla thekson se tranzicioni energjetik kërkon jo vetëm kapacitete të reja prodhuese, por edhe investime në rrjet, fleksibilitet të sistemit dhe teknologji që mundësojnë menaxhimin më efikas të energjisë, njofton Energy Monitor.

Në një analizë të mëhershme për Energy Monitor, Syla ka theksuar potencialin e projekteve solare dhe investimeve të reja për rritjen e pavarësisë energjetike të Kosovës.

Sipas tij, ndryshimet klimatike po e bëjnë rezistencën e sistemeve energjetike një element themelor të planifikimit afatgjatë, ku diversifikimi dhe fleksibiliteti do të jenë faktorë kyç për sigurinë energjetike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com