Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se, si pasojë e një defekti në trafon e energjisë elektrike në Flotacion, në Tunel të Parë, nesër do të ketë furnizim me ujë të pijes përmes autobotëve për disa zona, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit, nga kjo trafo furnizohet me energji elektrike edhe stacioni i pompimit që furnizon me ujë të pijes fshatin Rahovë dhe Trepçën.
KRU “Mitrovica” ka bërë të ditur se furnizimi me autobotë për fshatin Rahovë do të nisë nga ora 10:00, ndërsa për Trepçën nga ora 13:00. Furnizim do të ketë edhe në lagje të ndryshme, varësisht nga nevojat e konsumatorëve për ujë të pijes.
Nga kompania kanë apeluar që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të siguruar rezerva të ujit të pijes për nevojat e tyre.
Sipas njoftimit, furnizimi i rregullt me ujë do të rikthehet menjëherë pasi të rikthehet energjia elektrike në stacionin e pompimit.



