Home / Lajme / Mjedisi / 12 milionë euro për trajtimin e ujërave të ndotura në “Kosova B”

12 milionë euro për trajtimin e ujërave të ndotura në “Kosova B”

Në Termocentralin “Kosova B” është nënshkruar kontrata për ndërtimin e pesë impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura dhe një objekti për magazinimin e kimikateve, në kuadër të projektit për përmirësimin e cilësisë së ujit të lumit Sitnica.

Projekti, me vlerë 12 milionë euro, financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe KEK-un.

Impiantet do të trajtojnë lloje të ndryshme të ujërave të ndotura që krijohen në kompleksin e “Kosova B”, përfshirë ujërat industriale, ujërat me përmbajtje vajrash dhe kimikatesh, rrjedhjet nga zonat e depozitimit të qymyrit, ujërat atmosferike dhe ato sanitare, përcjell Energy Monitor.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se projekti synon të përmirësojë jo vetëm mbrojtjen e mjedisit, por edhe standardet e operimit të infrastrukturës energjetike.

“Prioriteti ynë nuk ka qenë vetëm ruajtja e kapaciteteve gjeneruese, por përmirësimi i tyre duke i bërë më të besueshme, më efiçiente dhe në përputhje me standardet mjedisore”, tha Rizvanolli.

Sipas institucioneve, ndërtimi i impianteve pritet të ulë ndotjen e lumit Sitnica dhe të krijojë një sistem më të qëndrueshëm për menaxhimin e ujërave të ndotura në termocentral, njofton Energy Monitor.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli Dalipi, Shefi i Bashkëpunimit në BE, Hubert Perr, si dhe përfaqësues të KEK-ut dhe UNOPS-it.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com