Home / Lajme / Kosova / KEK: Marrëveshja për qymyr forcon të hyrat, eliminon ndërmjetësuesit dhe nuk prek prodhimin vendor

KEK: Marrëveshja për qymyr forcon të hyrat, eliminon ndërmjetësuesit dhe nuk prek prodhimin vendor

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj kritikave për marrëveshjen trevjeçare me Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) për shitjen e qymyrit, duke thënë se lidhja e kësaj marrëveshjeje me importin e energjisë elektrike është e pasaktë.

Në një sqarim të publikuar të martën, KEK ka theksuar se importi i energjisë elektrike dhe shitja e qymyrit janë procese të ndara, me përgjegjësi dhe operatorë të ndryshëm.

Sipas KEK-ut, pas ndarjes së aktiviteteve të rrjetit dhe distribuimit në vitin 2013, aktiviteti i Korporatës përfshin eksploatimin e qymyrit dhe prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve universalë është përgjegjësi e kompanisë së licencuar për furnizim.

KEK: Shitja e qymyrit dhe importi i energjisë nuk janë të ndërlidhura

KEK ka kundërshtuar kështu krahasimin e bërë nga deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila kishte thënë se vlera potenciale prej 73.2 milionë eurosh e kontratës trevjeçare është e përafërt me shpenzimet për importin e energjisë elektrike gjatë tre deri në katër muaj.

“KEK-u nuk është kompania që vendos se kur dhe sa energji elektrike importohet për furnizim”, thuhet në sqarimin e Korporatës, përcjell Energy Monitor.

KEK ka bërë të ditur se energjinë që e ofron për nevojat e furnizimit universal e shet me çmim prej rreth 29.5 euro për MWh. Sipas saj, Termocentrali Kosova A konsumon rreth 1.5 tonë qymyr për një MWh, ndërsa Kosova B rreth 1.3 tonë, ose mesatarisht rreth 1.35 tonë për MWh.

Korporata ka theksuar se çmimi prej 29.5 euro për MWh nuk duhet të krahasohet drejtpërdrejt me çmimet e tregut të energjisë apo me çmimin e shitjes së qymyrit.

KEK: Qymyri tani shitet direkt te EMV-ja me 24.4 euro për ton, ndërsa më herët shitej për rreth 8 euro

Për marrëveshjen me EMV-në, KEK ka përsëritur se qymyri do të shitet me 24.4 euro për ton, pa TVSH, me çmim të pandryshuar gjatë periudhës 36-mujore. Vlera maksimale e kontratës është deri në 73.2 milionë euro, përcjell Energy Monitor.

Sipas KEK-ut, dallimi kryesor me praktikat e mëparshme është se qymyri tani shitet drejtpërdrejt te EMV-ja, pa ndërmjetësues. Korporata ka deklaruar se në raste të mëparshme qymyri ishte shitur përmes operatorëve privatë me çmime që në raste të caktuara kishin qenë rreth 8 euro për ton, ndërsa përdoruesi përfundimtar ishte EMV-ja.

“KEK-u ka pasur raste kur qymyri është shitur përmes operatorëve ekonomikë privatë ndërmjetësues, me çmime dukshëm më të ulëta, në raste të caktuara rreth 8 euro për ton, ndërsa përdoruesi përfundimtar ka qenë pikërisht JSC ESM”, ka sqaruar KEK në komunikatë.

KEK: Marrëveshja nuk prek prodhimin, EMV-ja bart përgjegjësitë për nxjerrjen, transportin dhe operacionet logjistike

KEK ka theksuar gjithashtu se marrëveshja nuk cenon furnizimin me qymyr të termocentraleve të Kosovës dhe as prodhimin vendor të energjisë elektrike.

Sipas Korporatës, EMV-ja bart përgjegjësinë për eskavimin, transportin dhe operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e qymyrit, ndërsa KEK-u arkëton pagesën për sasitë e tërhequra, përcjell Energy Monitor.

Korporata ka vlerësuar se të hyrat potenciale deri në 73.2 milionë euro kanë rëndësi për qëndrueshmërinë e saj financiare dhe kapacitetin investues, në një kohë kur është duke zbatuar një program investiv prej rreth 500 milionë eurosh.

Marrëveshja mbështet investimet më të mëdha të KEK-ut në katër dekadat e fundit

Sipas KEK-ut, programi përfshin rehabilitimin dhe modernizimin e njësive gjeneruese, përmirësimin e performancës mjedisore, modernizimin e kapaciteteve minerare dhe zhvillimin e projekteve të reja energjetike.

“KEK-u është duke realizuar një program investiv prej rreth 500 milionë euro, ndër më të mëdhenjtë në historinë e Korporatës, në një periudhë kur po zbatohen projekte të modernizimit që nuk janë realizuar në këtë shkallë për më shumë se katër dekada”, thuhet në komunikatë.

KEK ka thënë se debati për marrëveshjen duhet të bazohet në kushtet konkrete të kontratës, kostot, detyrimet e palëve dhe përfitimin ekonomik për Korporatën, dhe jo në krahasimin e saj me shpenzimet për importin e energjisë elektrike.

“KEK-u ka për detyrë të sigurojë qymyr për kapacitetet e veta, të prodhojë energji elektrike dhe, njëkohësisht, të menaxhojë resurset dhe asetet e Korporatës në mënyrën më efikase dhe më të favorshme ekonomikisht. Marrëveshja me JSC ESM duhet të vlerësohet pikërisht mbi këto kritere dhe mbi përfitimin konkret që ajo krijon për KEK-un”, thuhet në reagim.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com