Kompania shtetërore e energjisë e Maqedonisë së Veriut, EMV, ka dhënë detaje të reja për marrëveshjen trevjeçare me KEK-un për furnizimin me linjit nga minierat në Obiliq.
Sipas EMV-së, marrëveshja parasheh çmim fiks prej 24.4 euro për ton dhe furnizim me linjit me parametra të përcaktuar të cilësisë. Kompania vlerëson se përdorimi i linjitit nga Kosova do të rrisë efikasitetin e termocentraleve të saj dhe do të mundësojë rreth 800 GWh energji elektrike shtesë në vit.
EMV pret që kjo të sjellë rreth 57 milionë euro të ardhura shtesë në vit, ndërsa përfitimi financiar pritet të rritet edhe përmes uljes së nevojës për përdorimin e mazutit gjatë procesit të prodhimit të energjisë.
Sipas kompanisë, linjiti nga baseni i Obiliqit ka një vlerë mesatare kalorifike prej rreth 1,950 kcal/kg, me përmbajtje të ulët të sulfurit dhe hirit. EMV thotë se këto karakteristika përshtaten me parametrat për të cilët janë projektuar termocentralet Bitola dhe Oslomej, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, EMV sqaron se kapaciteti real i transportit është më i ulët se sasia maksimale e paraparë në marrëveshje. Për shkak të kapacitetit të pikës kufitare Bllacë, kompania vlerëson se nga KEK-u mund të transportohen rreth 800 mijë tonë linjit në vit.
Për realizimin e marrëveshjes, EMV pritet që deri në fund të gushtit të shpallë tender për përzgjedhjen e operatorit që do të merret me nxjerrjen, analizën e cilësisë dhe ngarkimin e linjitit në Obiliq, si dhe me transportin deri te termocentralet në Bitola dhe Oslomej.
EMV thotë se marrëveshja me KEK-un do të ndihmojë në sigurimin e furnizimit me lëndë djegëse gjatë periudhës së konsolidimit të minierave të saj dhe në ruajtjen e prodhimit të energjisë elektrike në vend.
Kompania synon që në vitet e ardhshme të rrisë prodhimin vendor dhe ta bëjë Maqedoninë e Veriut eksportuese neto të energjisë elektrike.



