Sistemi i baterive për ruajtjen e energjisë Coalburn 1, me kapacitet prej 500 MW dhe kapacitet ruajtjeje prej 1,000 MWh, ka nisur operimin komercial në Skoci, duke u bërë bateria më e madhe në funksion në Evropë. Projekti ndodhet në South Lanarkshire, në jug të Skocisë.
Coalburn 1 është një sistem baterish litium-jon me kohëzgjatje prej dy orësh dhe është zhvilluar nga Copenhagen Infrastructure Partners (CIP) përmes fondit Copenhagen Infrastructure IV. Projekti synon të rrisë fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektrik britanik dhe të mundësojë integrimin e më shumë energjie nga burimet e ripërtëritshme.
Me nisjen e operimit të Coalburn 1, kapaciteti i tij tejkalon ndjeshëm sistemin që deri tani ishte bateria më e madhe në funksion në Evropë, Vilvoorde në Belgjikë, me 200 MW dhe 800 MWh, përcjell Energy Monitor.
Projekti është i pari nga tre sistemet e mëdha të baterive të lidhura drejtpërdrejt me rrjetin e transmetimit që CIP po zhvillon në Skoci. Coalburn 1, Coalburn 2 dhe Devilla së bashku do të kenë kapacitet prej 1.5 GW dhe do të mund të ruajnë deri në 3 GWh energji.
Coalburn 1 është ndërtuar në një zonë të ish-minierave të qymyrit, duke e kthyer një hapësirë të lidhur me prodhimin tradicional të energjisë në një infrastrukturë të re për ruajtjen e energjisë. Projekti pritet të ndihmojë në menaxhimin e luhatjeve të prodhimit dhe kërkesës dhe në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Sipas CIP, sistemi do të gjenerojë të ardhura përmes marrëveshjeve të ndryshme, përfshirë një kontratë 10-vjeçare për optimizimin e operimit dhe kontrata shumëvjeçare në tregun e kapaciteteve.



